.
Published On: Wed, Dec 3rd, 2014

Britania e Madhe apel të rinjve gjakovarë: Rrini larg rrymave ekstremiste

Share This
Tags

ian-cliffKosova ka plot shembuj të mirë të praktikimit të fesë, prandaj ekstremizmi fetar dhe përkrahja e luftërave të huaja është shembulli më i keq që mund të ndiqet nga të rinjtë e këtij vendi.

Kështu ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ian Clif, i cili ka qëndruar për vizitë në Gjyshatën Bektashiane, konkretisht në teqenë e Bektashive në Gjakovë.

Ai ka shtuar se ekstremizmi fetar sot është një problem me të cilin po ballafaqohet e tërë bota. Sipas tij, fatkeqësisht një gjeneratë e re po bindet apo po mashtrohet që të marrë pjesë në disa luftëra në Siri, Irak e gjetiu dhe atje të bëjë krime nga më të llahtarshmet. Ky është një veprim që mund ta dëmtojë shumë Kosovën, prandaj, sipas tij, Kosova si shtet dhe populli i saj nuk duhet ta përkrahë askënd që është i lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe që merr pjesë në luftëra të huaja.

Nga ana tjetër, edhe baba Mumin Lama, ka thënë se ekstremizmi fetar është një e keqe e madhe që po i sillet vërdallë Kosovës dhe qytetarëve të saj, prandaj ka apeluar që të rinjtë të largohen sa më shumë nga këto predikime që nxisin urrejtje dhe dëshirë për luftë të padrejtë.

Ai ka thënë se luftërat që po zhvillohen në Irak, Siri e vende tjera të lindjes së mesme nuk janë luftëra në emër të Zotit por luftëra në emër të interesave të grupacioneve të ndryshme./radiogjakova/