“Çabrati” kujdeset për mirëmbajtjen e parkut në qendër
Gjakovë- Ka disa ditë që punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Çabrati” kanë filluar rregullimin dhe pastrimin e parkut qendror të qytetit. Kjo ka bërë që gjendja në këtë ambient të ndryshojë për të mirë pasi kohëve të fundit parku ishte mbuluar nga mbeturinat dhe pamja ishte mjaft e shëmtuar.
Në të kaluarën për mirëmbajtjen e parkut ishte përkujdesur një kompani private e cila ishte përzgjedhur me tender nga ish – qeverisja lokale, por kësaj kompanie i kishte skaduar kontrata dhe parku kishte mbetur nën mëshirën e fatit.
Zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur se si ka ndodhur që “Çabrati” e ka marrë përsipër mirëmbajtjen e parkut, por zëdhënësi i komunës Ali Tafarshiku ka thënë se kompania e ka të obliguar me kontratë që ta bëjë mirëmbajtjen e parkut. “Nuk e di se si ish – qeverisja e ka rregulluar punën me kompani private, por ajo që e di me siguri është se ‘Çabrati’ e ka pjesë të kontratës mirëmbajtjen e parkut qendror të qytetit”, ka thënë Tafarshiku./radiogjakova/