.
Published On: Mon, Aug 17th, 2015

I jipet lamtumira e fundit në qytetitn e tij të lindjes, Akademik Esat Stavilecit

Share This
Tags

Esat Stavileci 2Sot, nën patronatin e kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila është organizuar ceremonia mortore e varrimit pas ndarjes nga jeta të intelektualit, profesorit, autorit të shumë veprave dhe akademikut Esat Stavileci. Para varrimit, në sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi’ është organizuar mbledhje komemorative ku është përkujtuar vlera prej intelektuali dhe kontributi shumë i çmuar në lëmin e fushës juridike dhe atë kombëtare i akademik Esat Stavileci.

Në fjalën mortore, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila vlerësoi lartë figurën e shquar të akademikut Esat Stavileci, duke e lartësuar figurën e tij si personalitet i dijeve dhe kapaciteteve të zgjeruara, me një mendje e hapur dhe konkrete, që jo rrallëherë paraqiste dhe pakënaqësinë e tij, duke sjellë ide së vepruari dhe ide të së drejtës për të ardhmen.Mimoza Kusari Lila“Vendi dhe kombi ynë humbi një personalitet me potencë të jashtëzakonshme intelektuale dhe produktive, ndaj dhimbja nuk është vetëm e tanishme, por do jetë e përhershme, sepse nuk do e kemi më kreatorin dhe ideatorin, nuk do e kemi më personalitetin që nxori aq shumë kuadro si profesor universitar, dhe shumë prej atyre studentëve e kujtojnë me nostalgji, e ka ndër ta që edhe deri në ditën e vdekjes e patën koleg të dashur dhe të respektuar.” theksoi kryetarja Mimoza Kusari Lila, duke kujtuar se akademik Esat Stavileci ishte dhe njeri i sportit, ishte gazetar dhe intelektual që opusin e tij e shprehte edhe atëherë kur shoqata të ndryshme e shihnin me interes të posaçëm ta kishin si ligjërues, referues apo komentues.

Në emër të intelektualëve të Gjakovës, ngushëllimet për familjen Stavileci i shprehu intelektuali Minir Dushi, që kujtoi se akademik Esat Stavileci ishte ndër pishtarët e shkencave juridike, një personalitet i vyeshëm dhe i përkushtuar që ka treguar se si duhet punuar dhe sakrifikuar për kombin dhe vendin e vet. Në emër të Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, ngushëllime ka shprehur prof. Hasan Mujaj, që figurën komplekse të akademik Esat Stavilecit e cilësoi si një figurë intelektuale elitare, me një veprimtari shumë të pasur të formatit sipëror dhe se veprimtaria do të kujtohet dhe do të shërbej gjatë për brezat e ardhshëm. Ndërsa, në emër të Universitetit “Dardania” ngushëllime ka sjellë prof. Xhordane Mulla, e cila ka folur për kontributin kombëtar të akademik Esat Stavileci, ndër tjerash kujtoi thënien e tij se: “Historinë e kemi shumë të hidhur dhe se duhet të mësojmë prej saj”.

Në emër të familjes Stavileci, organizatorët dhe gjithë të pranishmit i ka përshëndetur vajza e akademikut Esat Stavileci, Miranda.

Më pas janë kryer homazhe ku qytetarë të shumtë, përfaqësues të pushtetit qendror, ndër ta edhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pastaj përfaqësues të subjekteve politike, intelektualë dhe krijues të shumtë, kanë respektuar familjen Stavileci për të përcjellur më tutje akademikun Esat Stavileci në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, në Gjakovë.