“Darka e Lamës” shtrohet në Gjakovë
Festa tradicionale “Darka e Lamës”, i ka bërë bashkë sot në Gjakovë të gjithë liderët e partive politike kosovare, të cilët, siç dihet, tash e katër muaj e kanë futur vendin në një ngërç institucional në mungesë të pajtueshmërisë për krijimin e institucioneve qendrore.
Me organizim të presidentes Atifete Jahjaga, liderë politik, ambasadorë të shteteve të huaja dhe përfaqësues tjerë të jetës shoqërore, kulturore e sportive janë mbledhur në Gjakovë, për të shënuar kështu atë që njihet si sezoni i grumbullimit të ushqimit për familjen, gjë e cila shënohet me një festë që në vendin tonë llogaritet të jetë festë e vjetër mijëra vjeçare.
Me këtë rast, presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova është një vend i begat me të gjitha të mirat që ja ka falur Zoti, prandaj është obligim i secilit individ që të punojë që këto të mira të jenë edhe më të mëdha. Ajo ka folur edhe për aktualitetin politik në vend, me ç’rast ka theksuar se ashtu siç po bashkohen rreth sofrës në ”Darkën e Lamës”, liderët kosovar ashtu duhet të bashkohen edhe në krijimin e institucioneve të vendit.
Në këtë aktivitet ka fol edhe kryetarja e komunës së Gjakovës MImoza Kusari – Lila, e cila pasi i ka falënderuar të gjithë bujqit dhe fermerët kosovar për angazhimin e tyre në këtë sezon, ka kërkuar që për ta të ketë mbështetje edhe më të madhe institucionale, sepse vetëm me bujqësi dhe me zhvillim të prodhimit vendor, vendi mund të zhvillohet e të ecë përpara./radiogjakova/