Dhuna në familje, një shqetësim i madh
Gjakovë- Dhuna në familje e cila deri vonë në Kosovë është trajtuar si problem që i takon vetëm familjes e jo edhe shoqërisë, pas ndryshimeve të ndodhura pas luftës ka filluar të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu edhe organet përkatëse të gjyqësisë dhe policisë.
Sipas kapitenes, Tahire Haxholli, nga Njësia e Hetimeve të Dhunës në Familje në Drejtorinë Rajonale të Policisë, pas luftës është rritur dukshëm edhe raportimi i këtij lloji të dhunës e cila rëndom ndodhë në mjedise të ngushta familjare. Kështu, marrë në tërësi, organet përkatëse gjatë vitit 2012 kanë trajtuar 1 mijë e 21 raste të dhunës në familje ndërkaq 1 mijë e 89 ka qenë numri i rasteve një vit më vonë përkatësisht vitin e kaluar.
Përkundër kësaj numri i kallëzimeve penale në vitin 2013 ka qenë më i vogël se një vit më parë . Numri i viktimave të strehuara si pasojë e dhunës në familje, gjatë vitit 2012 ka qenë 302, kurse gjatë vitit 2013 është shtuar në 414, ndërkohë që janë rritur dukshëm edhe urdhrat mbrojtëse të viktimave nga ana e gjykatës, numri i të cilave gjatë vitit 2012 ka qenë 162 ndërkaq gjatë vitit të kaluar 386./radiogjakova/