.
Published On: Wed, Apr 4th, 2018

Dita botërore e qenve endacakë, ata mbesin të pa trajtuar dhe të rrezikshëm

Share This
Tags

Dita botërore e qenve endacakë e gjen këtë kafshë të pa trajtuar si duhet, përfshirë edhe në komunën e Gjakovës, ku me dhjetëra prej tyre enden rrugëve, duke krijuar madje edhe shqetësime për qytetarët.

Në vitet e fundit me mjete të komunës dhe donatorëve, janë trajtuar rreth 1 mijë qenë endacakë, por situata vazhdon të jetë e njëjtë. Prej këtij viti me këtë çështje do të merret Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës e cila kohë më parë ka marrë 1.3 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për trajtimin e qenve endacakë.

Milot Bejtullahu, inspektor veterinar në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, tha se përmes Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, shumë shpejt do të fillojë mbledhja e qenve nëpër rrugë për t’u bërë kastrimi dhe sterilizimi, përfshirë edhe vaksinimi i tyre. Sipas tij, procedura të njëjta bëhen edhe në vende të tjera evropiane.

Kohë më parë, kryetari  i Komunës, Ardian Gjini tha se qentë endacakë janë problem serioz, por shtoi se plani i tij është të kemi rezervat të qenve dhe maceve. Gjini theksoi se ky plan ka kosto, por nuk dyshon në mbështetjen e partive të tjera kur projekti i tij të paraqitet në Asamble. Sipas tij, jeta e një fëmije nuk vihet përpara asnjë lloj kostoje.

Ndryshe, 4 prilli njihet si ditë ndërkombëtare e qenve endacakë, ka filluar prej vitit 2010 me iniciativën e disa organizatave holandeze, mirëpo pastaj kjo ditë manifestohet në 15 apo 20 shtete kryesore të Evropës./radiogjakova/