.
Published On: Fri, Apr 11th, 2014

Drejtoria e Arsimit përballet me mungesë të profesionistëve

Share This
Tags

vv-takimiGjakovë– Arsimi në Komunën e Gjakovës ka nevojë për ndryshime pozitive, është thënë ndër të tjera gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” të enjten. Arbërie Nagavci, mësimdhënëse e gjuhës shqipe, njëherësh këshilltare në KK të Gjakovës, tha se arsimi në Gjakovë është duke u sfiduar në disa mënyra.

Ajo ka përmendur faktin që tash e sa kohë është në Drejtorinë Komunale në Arsim, së cilës po i mungojnë tre profesionistë, dy prej të cilëve janë pensionuar e që nuk po zëvendësohen dhe një i pezulluar.

“Kjo është një sfidë duke pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohet DKA, duke përfshirë këtu edhe punësimet, cilësinë dhe numrin e mungesave”, tha Nagavci. Sipas saj, situatë jo e mirë nuk qëndron edhe në sistemin e inspektimit të arsimit që po ashtu ka mungesë të stafit. Nagavci, e cila për disa vjet ka qenë udhëheqëse e një shkolle fillore, po ashtu ka kritikuar edhe mosbashkëpunimin në mes shkollave, DKA-së dhe Ministrisë së Arsimit. “Pa dashur ta akuzoja askënd, di si ky bashkëpunim diku shkëputet dhe kjo sjell deri që udhëzimet administrative e ligjet, nuk zbatohen”.

Ajo si rast ka përmendur mosfunksionalizimin e organeve drejtuese të shkollave. “Ne kemi bërë përpjekje që të kontaktojmë me kryetarin e prindërve dhe askush, përfshirë edhe DKA-në, nuk kanë pasur informata se kush është kryetar i këshillit të prindërve. “Gjendja është e tillë edhe në shkollat e Gjakovës, ne kemi bërë një hulumtim dhe në 90 për qind të shkollave nuk funksionojnë këshillat drejtuese të shkollave”, tha më pas Nagavci.
“Mungesa e bashkëpunimit në mes të nxënësve, shkollës e prindërve, është një nga faktorët që ndikon jashtëzakonisht negativisht dhe ul arritjet dhe cilësinë në shkollë”, shtoi më pas ajo.

Ajo po ashtu i ka sugjeruar Drejtorisë së Arsimit që të bëjë ndryshime dhe hapa para sa i përket punësimit.
Për Feti Dashin, ish- drejtor i Arsimit, mungesa e kuadrove në DKA lë pasoja në realizimin e plan-programeve. “Kur ajo është e mangët, atëherë punët më të gjitha institucionet arsimore do të jenë të parealizuara sa u përket plan-programeve edukative. “Duhet të reagohet urgjentisht për të kompletuar kuadrin”, tha Dashi.

Ndërsa Kriger Ramaja, drejtor i shkollës “Zef Lush Marku” në Brekoc, duke u ndërlidhur në këtë debat lidhur më sfidat që po e përcjellin arsimin, ka bërë fajtor edhe udhëheqësit e shkollave. Sipas tij, “një pjesë e konsiderueshme janë drejtorë politikë dhe nuk e meritojnë të jenë udhëheqës të shkollave”. Në debat nuk kanë marrë pjesë zyrtarë arsimi dhe ata të Inspektoratit. /koha/