Drejtoria për Kulturë në Gjakovë ende pa udhëheqës të sektorit të kulturës
Që nga nëntori i vitit 2013, Drejtoria komunale për Kulturë në Gjakovë është pa udhëheqës të sektorit të kulturës. Me saktësisht në tetor të vitit 2014 ishte zgjedhur shefi i ri i këtij sektori, i cili aty kishte qëndruar vetëm rreth një gjysmë viti, pas të cilës kohë, për shkak të mos përmbushjes të kritereve të konkursit, procedurave përkatëse dhe kundërshtimeve të bëra, rezultatet e këtij konkursi ishin anuluar. Që nga ajo kohë Drejtoria e Kulturës është pa udhëheqës të sektorit, edhepse bëhet fjalë për një drejtori me një problematikë të shtuar dhe një gamë të gjerë të aktiviteteve. Si jemi njoftuar nga Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares së komunës për të zgjedhur një udhëheqës të sektorit të kulturës i cili kishte me pas impakt të drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së punës të këtij sektori me interes të veçanet, komuna ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, hartimin e kritereve profesionale të domosdoshme për një vend pune të tillë, nisur edhe nga fakti se Gjakova është një komunë me një traditë shumë të gjatë në fushën e kulturës, dhe ka nevojë për iniciativa dhe nisma të reja në këtë. Sipas Tafarshikut, për shpalljen e konkursit të ri, komuna është duke pritur lirimin e kodeve financiare nga Ministria e Financave, ndërkohë që sipas tij, shumë shpejt pritet që më në fund të bëhet shpallja e konkursit për zgjedhjen e shefit të sektorit të kulturës, në Drejtorinë komunale për Kulturë në Gjakovë.










