Driton Çaushi: Ndihem i ofenduar nga akuzat e post-protestës
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka reaguar ndaj deklaratave të disa politikanëve lokal të cilët kanë thënë se protestat kundër ministrit, Aleksandër Jabllanoviq mund të shkaktojnë trazira. Ata ndër të tjera kanë akuzuar Vetëvendosjen se po i organizon protestat me pretendimin që të fitoj edhe poena politik.
Koordinatori i Vetëvendosjes në Gjakovë, Driton Çaushi përmes një reagimi ka thënë se këto deklarata janë me motive shumë të ulëta dhe me synim të pastër të përfitimit politik. Ai më tej ka sqaruar se Vetëvendosje nuk i mbështet protestat me qëllim të përfitimit politik, por për shkak se ndjejnë obligim qytetar e politik për ta bërë një gjë të tillë.
Lexoni Reagimin e plotë të Çaushit:
Për shkak të disa akuzave ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me motive shumë të ulëta dhe me synim të pastër të përfitimit politik, e ndjej për obligim të reagoj këtu në emër të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë.
Është fjala për protestat me kërkesë shkarkimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq në qytetin e Gjakovës dhe tentimi i manipulimit të opinionit rreth motiveve të organizimit të tyre. Këto akuza janë shprehur në forma të ndryshme, si rrezik nga politizimi i protestave, përfitim nga viktimat e luftës dhe shfrytëzim i nënave të të pagjeturve për përfitime partiake.
Si përfaqësues i këtij subjekti politik por edhe personalisht, ndihem tepër i ofenduar nga këto akuza kaq të ulëta dhe do përpiqem këtu tu përgjigjem atyre.
Së pari, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është i qartë qëndrimi dhe angazhimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth çështjes së të pagjeturve, që nga formimi i saj e deri me sot, duke filluar me protesta nga viti 2005 bashkë me nënat e të pagjeturve, protestat për çdo vit bashkë me nënat e të pagjeturve në Gjakovë kundër vizitave të pelegrinëve serb, insistimi në kushtëzimin e negociatave me Serbi me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e deri te protestat e ditëve të fundit. Gjithashtu, nuk jemi ndalur dhe as që do të ndalemi ndonjëherë duke e thënë të vërtetën rreth mosinteresimit dhe injorimin nga të gjitha qeveritë e pasluftës për një kategori aq të ndjeshme siç është ajo e familjarëve të të pagjeturve.
Së dyti, duke qenë bashkë me “Thirrjet e Nënave” organizator të këtyre protestave, më duhet t’ju shtroj ca pyetje të gjithë atyre që hedhin këto akuza.
Cili është problemi te fakti që pas ofendimit të qytetarëve të Gjakovës, u kujtuam të thirrim dhe me shumë punë vullnetare të shumë aktivistëve të mrekullueshëm të organizojmë dhe mbajmë këto protesta?
Nëse nuk ka këtu ndonjë problem, si do duhej t’i ftonim për pjesëmarrje dhe të lajmëronim në media këto protesta? Në emër të një organizate anonime?
Si do të duhej të quheshin organizatorët e një proteste nëse jo organizatorë? Pjesëmarrës pasiv? Përkrahës? Si do preferonit ju?
Së treti, nëse pajtoheni me kërkesën dhe idenë e kësaj proteste si dhe merrni pjesë në të, si mund të mos pajtoheni për fajtorët për mosshkarkimin e ministrit Jabllanoviç? Si mund të amnistoni Kryeministrin e papërgjegjshëm dhe arrogant, e të kërkoni shkarkimin e fashistit Jabllanoviçit? Si mund të amnistoni Hashim Thaçin për sjelljen e “Lista Srpska” në institucionet e Kosovës? Si mund të jeni me nënat por edhe me Isa Mustafën?
Për fund, të gjithë atyre që pa pikë morali guxojnë të lëshojnë këto akuza dhe shpifje ju them se pikërisht kjo dëshmon mungesën e ndjeshmërisë që ju keni për çështjen e të pagjeturve.
Në vend se të vëni gjithçka në shërbim të interesave tuaj partiak dhe personal ju sugjeroj që përfundimisht të pozicionoheni qartë në situatën në të cilën ndodhemi.
I mbështetni këto protesta gjithëpopullore dhe do të bashkoheni?
E mbështetni kërkesën e popullit për shkarkimin e ministrit Jabllanoviç?