.
Published On: Mon, Sep 11th, 2017

Emërtimi i teatrit, qytetarët mbështesin propozimin që të quhet “Hadi Shehu”

Share This
Tags

Procedurat për emërtimin e Teatrit të Qytetit të Gjakovës me emrin e aktorit të madh, tashmë të ndjerë, Hadi Shehu, janë në fazën e fundit. Të hënën u organizua edhe debati publik me qytetarë.

Të pranishmit përkrahën këtë iniciativë duke u ngritur në këmbë e duke duartrokitur propozimin.

Drejtori për Kulturë, Meriton Ferizi, duke shpjeguar procedurat, u shpreh se fjalën e fundit për emërtimin e teatrit tani e ka Komiteti për Politikë dhe Financa që do të mblidhet të martën.

 Drejtori i teatrit, Edi Kastrati, tha se emërtimi i ri do të nderojë vet teatrin, komunitetin artistik dhe gjithë Gjakovën. Sipas tij, i ndjeri Hadi Shehu sakrifikoi veten për të ngritur Teatrin e Gjakovës në një nivel të lartë.

Në emër të familjes Shehu, debatin e përshëndeti Jahja Shehu, një tjetër aktor i madh dhe vëllai i të ndjerit Hadi Shehu.

Ai tha se po realizohet një dëshirë e familjes së tij, por kërkoi që Teatrit të Gjakovës t’i rikthehet statusi i Teatrit Kombëtar.

“Në vitin 2012, kur Pajazit Nushi i tha në prezencën time Hadiut se Teatri duhej të merrte emrin e tij, Hadiu i tha ‘fillimisht Teatri i Gjakovës duhet të bëhet Teatër Kombëtar e pastaj të tjerat’. Ju falëndëroj publikisht për iniciativën, po realizohet nj dëshirë e familjes dhe po nderoni veprën e Hadiut”, u shpreh Jahja Shehu./radiogjakova/