.
Published On: Sat, Dec 16th, 2017

Erërat e forta dëmtojnë rrjetin elektrik në Gjakovë

Share This
Tags

Territorin e komunës së Gjakovës gjatë mbrëmjes së të premtes dhe mëngjesit të së shtunës e ka përfshirë një mot me erë të fuqishme. Stuhia e erës me shpejtësi deri në 10 metra në sekondë që kishte arritur në mesnatë dhe në orën 3 të mëngjesit të së shtunës ka shkaktuar dëme në disa pullaze e objekte të ndryshme.

Ndërkohë që dëmtimi i rrjetit elektrik e telefonik në disa zona ka bërë që të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas zyrtarit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Besim Meqa mungesa e energjisë është pasojë e dëmeve që janë shkaktuar në rrjet dhe në shtylla.

Edhe KEDS ka pranuar se gjendja më e rëndër është në rajonin e Gjakovës, por nga kjo kompani bëjnë të ditur se kanë angazhuar maksimalisht të gjitha ekipet e terrenit për të sanuar të gjitha prishjet sa më shpejtë që të është e mundur.

Sipas Besim Meqës, mungesa e energjisë ka shkaktuar edhe mungesë të ujit, kryesisht në ato zona ku përdorën pompat për t’u furnizuar me ujë.

Ai shtoi se, përveç problemeve me energji, dëme të tjera të mëdha deri më tash nuk janë raportuar në komunën e Gjakovës. Po ashtu, gjatë së premtes dhe së shtunës jane larguar nga qendra e qytetit dy tabela të mëdha reklamuese të njohura ndryshe si “billboard-e” për shkak se rrezikonin jetën e  qytetarëve.

Ai ju ka bërë thirrje qytetarëve që rastet eventuale t’i raportojnë në Qendrën Komunale të Thirrjeve Emergjente në numrin 112. /radiogjakova/