Asambleja, diskutohet mbi raportin e Auditorit të Përgjithshëm
Të martën u mbajt mbledhja e shtatë për këtë vit e Kuvendit të Komunës së Gjakovës.
Kjo mbledhje ka filluar me njoftimin e kryetares së komunës, Mimoza Kusari-Lila lidhur me përgatitjet për organizimin e Konferencës e Investitorëve në Gjakovë, ndërkohë që në pikën e parë të rendit të ditës asambleistët gjakovarë kanë diskutuar për raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.
Lidhur me këtë, Augustin Shala, nga AAK ka thenë se sipas raportit të auditorit qeverisja komunale e vitit 2014 ka qenë më e dobët se ajo e vitit 2013.
Agon Batusha nga Levizja Vetëvendosje ka theksuar faktin se 11 rekomandimet e auditorit kanë mbetur të njëjta nga viti i kaluar. Ai ka kërkuar që t’i jepet më shumë rëndësi planifikimit të pagesës së borxheve.
Në anën tjetër, Artan Nimani kuvendarë nga radhët e PDK-së në Gjakovë, ka kërkuar që kryetarja Kusari-Lila të reflektojë karshi kërkesave të Auditorit të Përgjithshëm.
Kryesuesi i Asamblesë komunale, Luan Gola është shprehur se Auditori i Përgjitshëm është dashur t’i kushtojë kujdes më të madh çështjes së pronave që, sipas tij, pas 15 viteve është duke shkuar drejt zgjidhjes.










