.
Published On: Thu, Jun 9th, 2016

Eshtë përmbyllur manifestimi përkujtimor “Java e dëshmorëve të Hasit”

Share This
Tags

Me manifestimin përkujtimor për heroin Haxhi Hoti dhe gjithë dëshmorët e rënë të Hasit, mbrëmë është përmbyllur “Java e dëshmorëve të Hasit”, e cila është bashkëorganizuar nga Komuna e Gjakovës dhe OVL e UÇK-së, Dega në Has. Pas aktiviteteve disaditore, në akademinë përkujtimore, ndër tjerash fjalë rasti ka mbajtur edhe Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës së Gjakovës, i cili ka vënë në spikamë kontributin e Hasit dhe të hasjanëve për luftën e fundit çlirimtare, si dhe ndarjen e padrejtë territoriale që i është bërë këtij rajoni nga ish pushtuesit.

“Sot, kur ne me krenari dhe dinjitet kujtojmë dëshmorët e luftës së fundit çlirimtare, që përkon mu në ditën e rënies së heroit të kombit, Haxhi Hoti, i njohur me epitetin luftarak si komandant “Lleshi”, hasjanët ia shtojnë Kosovës dhe vet kombit vlerën nga gurrat e pashtershme të traditës dhe ndjenjës së atdhetarisë. Prandaj, me përmallim i kujtojmë gjithë të rënët dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i lavdisë për ta”, ka thënë nënkryetari Hoti.