Është suspenduar drejtori i shkollës “Zef Lush Marku”
Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari–Lila ka marrë vendim për suspendimin e Krigër Ramajës, drejtorit të shkollës “Zef Lush Marku” në Brekoc të Gjakovës.
Vetëm dy ditë më parë, drejtori Ramaja kishte ftuar në shkollë pjestarët e policisë së Kosovës, me qëllim largimin nga objekti të mësimdhënëses Vjollca Kola, e cila ishte futur në procesin mësimor përkundër skadimit të kontratës së punës.
E për këtë ngjarje që bëri jehonë në të gjitha mediat, komuna e ka bërë fajtor pikërisht drejtorin Ramaja, i cili fillimisht është suspenduar në afat prej 3 muajsh, deri në vendimin përfundimtar të komisionit diciplinor.
Drejtori është gjetur fajtor edhe për faktin se mësueses Kola ia ka lëshuar një kontratë, afati i së cilës bije ndesh me afatin e përcaktuar në konkursin e shpallur për atë pozitë. Gjithashtu drejtori nuk i ka dhënë informatat e sakta mësueses për kohën e caktuar të punësimit të saj.
Në komunë nuk e kanë mohuar por as pohuar shkarkimin e drejtorit, por Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares Kusari–Lila ka thënë se vendimi për drejtorin është marr dje, por i njejti do të zyrtarizohet të hënen.
Nga ana tjetër, vet drejtori Ramaja ka thënë se ai nuk ka asnjë njoftim zyrtar, prandaj edhe nuk mund ta komentoj shkarkimin eventual të tij.