Fillojnë përgatitjet për Olimipiaden e matemacientëve
Gjakovë- Në Drejtorinë komunale për Arsim në Gjakovë, kanë filluar përgatitjet për organizimin e Olimpiadës së Matematikës të Kosovës.
Si jemi informuar nga magjistër Nanije Gexha-Maloku, zyrtare e arsimit në komunën tonë, drejtoria ka ftuar të gjitha shkollat e mesme të ulta dhe shkollat e mesme të larta në komunën tonë që t’i organizojnë garat nëpër shkolla të cilat duhet të përfundojnë deri më 14 shkurt.
Në këto gara do të marrin pjesë nxënësit e klasave të nënta, dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta, ndërkohë që testet do të bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit drejtimi matematikë-informatikë si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës.
Sipas zonjës Gexha-Maloku, pas olimpiadës në shkolla, garat komunale do të mbahen më 20 shkurt ku do të marrin pjesë rreth 200 nxënës. Fituesit e tre vendeve të para për secilën klasë do të marrin pjesë në Olimpiadën e Kosovës e cila këtë vit do të mbahet në Lipjan.
Në anën tjetër fituesit e tre vendeve të para në nivel të Kosovës në secilën kategori si dhe mësimdhënësit e tyre, do të stimulohen me nga 200, 150, përkatësisht 100 euro, ndërkohë që 12 fituesit e tre vendeve të para do të marrin pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës e cila do të mbahet në Afrikën Jugore, përkatësisht në Johanesburg./radiogjakova/