Filluan korrje shirjet e drithërave të bardha. Ermeni: Rendimentet më të larta se vitin e kaluar
Në komunën e Gjakovës ka filluar fushata e korrje shirjeve të drithërave të bardha. Sipas drejtorit për Bujqësi në Gjakovë, Bekim Ermeni, drejtoria ka bërë të gjitha përgatitjet për një fushatë të suksesshme të grumbullimit të bukës së re. Këtë vit, për shkak edhe të kushteve atmosferike dhe por edhe të një kujdesi më të shtuar të fermerëve gruri është në gjendje të mirë dhe pritjet janë që rendimentet të jenë më të larta sesa në vitin e kaluar. “Për fat të mirë po shohim që kemi rezultate shumë të mira dhe rendimente shumë më të larta se viteve të kaluara. Drejtoria po mundohet të jetë sa më afër fermereve dhe kombajnerëve të cilët që po kryjnë një punë të rëndësishme në këtë proces”, tha Ermeni, i cili po monitoron fushatën nga afër. Në komunën e Gjakovës sivjet janë mbjellur mbi 5 mijë hektarë me grurë dhe kultura tjera të mbjella në vjeshtë. Ndërsa në nivel të Kosovës, janë diku rreth 90 mijë hektarë të kultivuara me drithëra, prej tyre rreth 84 mijë e 500 vetëm grurë.