Fjala e plotë e ministrit Murati në mbledhjen e Qeverisë
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka zgjedhur rrjetin social Facebook që të bëjë publike atë që ka kërkuar sot në mbledhjen e Qeverisë, nga shefi i tij Isa Mustafa.
Kujtojmë se pas kësaj fjale, kryeministri Mustafa i tha atij se nuk janë në Kuvend dhe se për 20 minuta u ndalën mikrofonat.
Murati ka treguar se kërkesa e tij u kalua kryesisht në heshtje.
Lexojeni të plotë fjalën e tij:
“Në mes të dy mbledhjeve të qeverisë kolegët tanë që janë pjesë e kësaj qeverie e që vijnë nga Lista Srpska, e sidomos z. Jabllanoviq, kanë dal me qëndrime që kanë provokuar rëndë qytetarët e Kosovës, kanë cenuar dhe sfiduar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, e rrjedhimisht vetë shtetin e Kosovës.
Z. Jabllanoviq shpeshherë vazhdon të flas si deputet i Kuvendit të Serbisë dhe jo si ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Unë rekomandoj z. Kryeministër që ne si kabinet qeveritar të mbajmë një qëndrim në raport me këto deklarata dhe me anëtarët e këtij kabineti të cilët i kanë shprehur ato.
Përndryshe mendoj se ne kemi obligim të kemi një qëndrim për këtë çështje për shkak:
– Të nënave të Gjakovës të cilat ende vazhdojnë t’i kërkojnë familjarët e tyre të zhdukur e të cilat u ofenduan;
– Të gjithë familjarëve të të zhdukurve dhe të vrarëve në masakrat të cilat i shkaktoi gjatë luftës ushtria e shtetit të Serbisë, e për të cilat z. Jabllanoviq nuk paska qenë në dijeni;
– Të familjeve të dëshmorëve të luftës çlirimtare të UÇK-së;
– Të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e që kulminoi me luftën çlirimtare të UÇK-së
– Por edhe për shkak se të tilla deklarata jo vetëm që përbëjnë shkelje të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të saj (në këtë rast të vetë Kodit Penal të Kosovës), jo vetëm që janë vazhdimësi e mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Lista Srpska, por në vetvete ndikojnë në keqësimin e raporteve në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe dhe nxisin gjuhën e urrejtjes”.