“Ganimete Tërbeshi”, institucioni që po përballon konkurencën
Për dallim prej shumë institucioneve tjera publike, Çerdhja “Ganimete Terbeshi” në Gjakovë është institucion që i ka mbijetuar konkurrencës nga institucionet private, kjo falë kushteve të mira të qëndrimit por edhe çmimit mujor.
Ky institucion aktualisht funksionon me 7 objekte, 4 prej të cilave përdoren për qëndrim të plotë ditor, ndërsa 3 të tjera përdoren vetëm si parashkollor. Sipas menaxherëve të këtij institucioni, çmimi mujor për qëndrim në këtë institucion është 30 euro, që e bën çerdhen “Ganimete Terbeshi” ndër institucionet më të lira të këtij lloji në Kosovë.
E përpos kapacitetit aktual, këtij institucioni së shpejti do të shtohet edhe një objekt i ri dhe mjaft modern, i cili ka filluar të ndërtohet së fundmi. Pas rrënimit të objektit të vjetër, ka filluar ndërtimi i ri i çerdhes së njohur si çerdhja e Devës.
Objekti për ndërtimin e të cilit Ministria e administrimit të pushtetit lokal ka dhënë rreth 150 mijë euro, do të ketë një hapësirë prej 500 metrash katrore, ndërsa kapacitet ditor prej 110 fëmijësh, e bënë atë objektin më të madh dhe më modern i këtij lloji./radiogjakova/










