Gjakova bëhet me aeroport (FOTO)
Gjakovë- Edhe zyrtarisht, aeroporti i Gjakovës ka kaluar në kompetenca të qeverisë së Kosovës. Ceremonia zyrtare e transferimit të kompetencave nga qeveria italiane tek ajo kosovare është bërë të merkurën në ambientet e këtij aeroporti, në praninë e komandantit të KFOR-it Salvatore Farina, kryetares së komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe përfaqësuesve qeveritar nga të dyja shtetet.
Dokumenti që e ka zyrtarizuar këtë transfer është nënshkruar në mes të Kolonel Antonio Felicisimo, komandant i deritashëm i aeroportit, i cili ka nënshkruar në emër të qeverisë italiane, përkatësisht të ministrisë së Mbrotjes së Italisë, dhe Gazmend Meizinit, i ngarkuar i qeverisë së Kosovës për përgatitjen e trasnferimit të aeroportit.
“Jam i gëzuar që ky trasnferim po bëhet me sukses të plotë, sepse 8 muaj më parë kur e kam marrë detyren e komandantit kam menduar se kjo do të jetë një punë e vështirë për tu bërë. I falenderoj njerëzit e mi e gjithashtu edhe palën kosovare që sëbashku kemi arritur që këtë transferim ta bëjmë në menyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj se ky kontribut i shtetit Italian të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen nga qeveri vendore dhe ky aset të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, ashtu siç edhe është paraparë në ndërtimin e tij”, ka thënë komandanti i aeroportit, gjeneral Felicisimo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës Gazmend Meizini ka thënë se në bazë të marrëveshjes me qeverinë italiane, të gjitha pasijet teknike, përfshirë edhe kullën e drejtimit do të mbesin më pronësi të aeroportit, element ky mjaft i rëndësishëm për këtë aset të vendit. “Falenderoj qeverinë italiane për këtë kontribut shumë të madhe dhe besoj fuqishëm se qeveria jonë do ta kapitalizojë e do ta shfrytëzoj për qëllime të mira dhe për zhvillim ekonomik të vendit tonë”, ka thënë Meizini.
E më e gëzuara gjatë kësaj ceremonie e duk të jetë kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila si ish- ministre e qeverisë së Kosovës ka qenë ndër shtytëset kryesore të kësaj iniciative. Ajo ka shfaqur bindjen se ky aset do të ndikojë drejtë për së drejti në ngritjen ekonomike të Gjakovës dhe rajonit dhe ngritjen e punësimit për komunën e Gjakovës. “Mundësitë janë të shumta të funksionalizimit të aeroportit, në veçanti duke e marrë parasysh faktin e zonës së lirë ekonomike në Gjakovë dhe atë që si një objekt strategjik do të fascilitojë transportin e mallrave të prodhuara në zonën e lirë ekonomike”, ka thënë ajo.
E pyetur për periudhën se kur mund të ndodhë funkasionalizimi i plotë i aeroportit, Kusari – Lila ka thënë se e tëra kjo nuk do të shkojë më largë se viti i ardhshëm. “Jam mëse e sigurtë se si komunë do të bashkëpunojmë në maksimum me qeverinë e Kosovës, për një funksionalizim sa më të shpejtë, besoj deri në vitin e ardhshëm, në një partneritet publiko – privat, i cili do të nënkuptojë që aeroporti prej destinimit ushtarak të kalojë në destinim komercial dhe si i tillë të shërbejë drejtë për drejtë në ngritjen ekonomike të komunës së Gjakovës në veçanti por edhe të gjithë Kosovës në përgjithësi”, ka përfunduar Kusari – Lila./zeri/