Gjakova do të bëhet me Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura
Së shpejti në Gjakovë do të fillojë ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura, një investim dhe përpjekje e radhës për të mbajtur pastër burimet ujore të zonës, lumenjtë por edhe mjedisin përreth.
Për këtë qëllim, KRU “Radoniqi” do të nis grumbullimin e të dhënave mbi klientët industrial duke vizituar kompanitë dhe bizneset e ndryshme dhe të gjitha veprimtaritë biznesore të cilat shkarkojnë ujërat e ndotura në sistemin e kanalizimit publik .
“Ne ju lutemi miqësisht të gjithë sipërmarrësve, pronarëve dhe menaxherëve të këtyre veprimtarive që të bashkëpunojnë me personelin e KRU ‘Radoniqi’ me qëllim që grumbullimi i të dhënave të kërkuara të bëhet në mënyrën më të lehtë dhe transparente që është e mundur”, tha Kaltrina Rudi, zëdhënëse e “Radoniqit”.
Aktualisht të gjithë ujërat e ndotura shkarkohen në lumenj, e bashkë me to edhe substanca e materie të rrezikshme të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në ndotjen e ambientit.
Prandaj ndërtimi i impiantit të ri do të jetë i shumëpritur. /radiogjakova/