Gjakova e mbushur me fëmijë që kërkojnë lëmoshë
Në asnjë qytet tjetër në Kosovë, nuk mund të gjesh lypsarë, kryesisht fëmijë, më shumë se në Gjakovë. Përderisa kompetentët e të gjitha institucioneve relevante debatojnë pa fund se si po dalin këta fëmijë në rrugë, kush po i shtynë ata ta bëjnë një gjë të tillë dhe si duhet të largohen nga rruga, gjendja në teren vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më tepër.
Me dhjetëra fëmijë i gjen të shtrirë nëpër trotuaret në qendër të qytetit e me dhjetëra tjerë duke frekuentuar nëpër kafeteri e lokale tjera. Shumë nga ta, pranojnë të deklarohen për arsyet që kanë dalë në rrugë. Arsyet e tyre, pothuajse janë të njëjta. Ata thonë se nuk kanë asgjë për të ngrënë. Por, shumica prej këtyre deklaratave, nuk janë të vërteta për zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale.
Në këtë institucion thotë se vazhdimisht i përcjellin këto raste dhe shumë shpesh edhe i largojnë nga rruga. Por suksesi është shumë vështirë të arrihet, sepse këta fëmijë e kanë mbështetjen nga prindërit e tyre, e ndonjëherë edhe nga tutorët që i shfrytëzojnë ata për përfitime materiale. Sipas këtyre zyrtarëve, e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë dukuri, është që qytetarët të mos u japin para lëmosh kërkuesve./radiogjakova/










