Gjakova feston dhe nderon në 6 vjetorin e pavarësisë
Gjakovë- Komuna e Gjakovës me koncertin festiv “Dua më shumë Shqipërinë” të mbajtur nën patronatin e kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila, ka përmbyllur aktivitetin katërditor në shënim të gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë koncert festiv kanë marrur pjesë emra të shquar talentësh dhe tashmë të dëshmuar të skenës gjithëkombatare. Publiku ka përjetuar emocione të posaçme me prezentimin e këngëtarëve Florent Abrashi, Vesa Smolica, Albi Xhepa dhe të instrumentalistit të mirënjohur Agron Peni. Më pas janë paraqitur “Prishtina Bas” dhe në përmbyllje është prezentuar Asambli i Komunës së Gjakovës, me dirigjent Pëllumb Vula.
Ky koncert festiv njiherit ka qenë edhe vlerësues për kontributin e dhënë në lëmin e artit dhe të shkencës të personaliteteve të shquara nga Gjakova. Nga kryetarja Mimoza Kusari Lila me çmimin “Gjakovar i ndritur” është dekoruar akademik Pajazit Nushi. Ndërkaq, me çmimet për “Vepër jetësore” janë dekoruar aktorët e shquar Hadi Shehu dhe Hysen Binaku.
Në këtë koncert përmbyllës festiv, kryetarja Mimoza Kusari Lila me respekt të posaçëm ndaj krijuesve dhe publikut, me një dedikim të posaçëm u është adresuar atyre me një fjalë rasti. Në këtë fjalë, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë një përshkrim të së shkuarës dhe të së tashmes për kontribuesit nga Gjakova për kombin dhe shtetësinë e Kosovës, si dhe për sfidat që na presin.
Në fjalën e saj, Kusari Lila ka pohuar se “ndjenjat e gjithë neve janë të përziera. Në mes nesh ka gëzim, lot, dhembje, krenari por mbi të gjitha festë. Ne kemi lindur duke e ëndrruar këtë ditë, e shumë të tjerë kanë ikur nga kjo botë pa e bërë realitet atë ëndërr. 6 vite pas shtetësisë, e 15 vite pas përfundimit të luftës, në çdo rrugë, në çdo bisedë dhe në çdo pore të jetës, në Gjakovë vërehen gjurmë të sakrificës për liri dhe pavarësi. Gjakova u godit shumë, qëndroi e dërmuar në mes stuhish që vinin njëra pas tjetrës. Gjakova dha shumë, që sot ne të jemi këtu dhe t’i gëzohemi shtetësisë”.