“Gjakova feston” prej 20 dhjetorit deri më 1 janar
Gjakovë- Nën moton “Gjakova feston”, kanë filluar përgatitjet për shënimin e festave të fundvitit. Siç është njoftuar festa në Gjakovë e cila pritet të jetë ndryshe nga festat e deritashme, do të fillojë me 20 dhjetor, për të kulmuar me 31 dhejtor në natën e ndërrimit të viteve.
Mësohet se i tërë aktiviteti është paraparë të zhvillohet në qendër të qytetit, përkatësisht në shetitoren e qytetit dhe në parkun qëndror, ambient i cili është pagëzuar me emrin parku festiv.
Tashmë në këtë ambient janë vendosur 10 shtëpiza druri, të cilat përpos se do të jenë pjesë e festës do ta zhvillojnë edhe promovimin e produkteve vendore.
Ditë më parë edhe kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, nën organizimin e së cilës edhe do të mbahen të gjitha aktivitetet festive, pati paralajmëruar se në Gjakovë sivjet do të festohet ndryshe nga sa është festuar deri me tani dhe Gjakova gjatë këtyre ditëve do të përngjajë me një qytet modern evropian, pasi edhe vetë menyra e festimit do të jetë menyrë evropiane./radiogjakova/