Gjakova me 6 deputetë në Kuvendin e ardhshëm
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor. Në legjislaturën e ardhshme, Komuna e Gjakovës do të përfaqësohet me 6 deputetë, gati nga të gjitha grupimet politike.
Kështu, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe këtë vit deputetë do të jenë ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, si dhe Teuta Haxhiu.
Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme, ndërsa nga ky subjekt për herë të parë do të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës edhe Arbërie Nagavci që ka marrë vota të mjaftueshme.
Gjakova do të ketë përfaqësuesin e vet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Në mesin e deputetëve të PDK-së për herë të dytë pjesë e Kuvendit të jetë edhe Hajdar Beqa.
Ndërsa nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, e cila në komunën e Gjakovës ka dalë si e treta, të drejtën për të qenë pjesë e parlamentit e ka fituar vetëm kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila.
Mirëpo, Kusari Lila në bazë të deklaratave të mëhershme pritet që këto ditë të përcaktohet për pozitën e deputetes apo nëse do të kandidojë edhe për një mandat tjetër për kryetare të komunës./radiogjakova/