.
Published On: Fri, Nov 7th, 2014

Gjakova përgatitet të shënojë 70-vjetorin e çlirimit

Share This
Tags

gjakova-Gjakova është duke u përgatitur që ta shënojë në mënyrë sa më madhështore, 9 nëntorin, 70 vjetorin jubilar të çlirimit nga pushtuesit nazifashist. Në fakt është Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimitare e cila me përkrahjen e komunës është duke organizuar një sërë aktivitetesh përmes së cilave do të shënojnë këtë ditë.

Në një konferencë për media të mbajtur, Skender Hoxha kryetar i shoqatës së veteranëve të LNÇ-së ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që kjo ditë të shënohet ashtu siç e meriton. Ai ka bërë të ditur se aktivitetet do të zhvillohen gjatë tërë ditës së diele, duke filluar që nga ora 9 me vënien e kurorave me lule tek bustet dhe shtatoret e disa prej figurave eminente siç janë Mustafa Bakija, Hajdar Dushi, Asim Vokshi, Emin Duraku, Sylejman Vokshi, Bajram Curri, e të tjerë.  

Aktivitetet do të vazhdojnë me homazhe në varrezat e heronjve dhe dëshmorëve të Luftës së dytë botërore në eshtoren e Çabratit dhe të luftës së UÇK-së në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë. Homazhe dhe nderime do të ketë edhe pranë varrit të heroit të popullit Fadil Hoxha. Pas këtyre homazheve dhe nderimeve, në orën 12, në ambientet e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, do të mbahet një akademi solemne, në të cilën do të flitet për kontributin e Gjakovës në çlirimin e vendit.

Në këtë tubim do të flasin akademikët Pajazit Nushi, dr. Jusuf Bajraktari, veteranët e luftsës nga Shqipëria e Kosova, Rrahman Parllaku e Zija Mulhaxha, ndërsa fjalë përshëndetëse do të ketë edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila dhe Skender Hoxha, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së, dega në Gjakovë./radiogjakova/