.
Published On: Mon, Sep 22nd, 2014

Gjakova po “ia sheh sherrin” krizës institucionale

Share This
Tags

komuna-gjkKriza institucionale në Kosovë dhe mungesa e një qeverie fuqiplotë tash e 4 muaj, po sjellë telashe dhe bllokim të proceseve edhe në komunën e Gjakovës. Sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari–Lila janë disa procese jetike që janë stopuar në mungesë të qeverisë, e të cilat si të tilla, po e pengojnë zhvillimin e më tejmë të Gjakovës.

Në mesin e tyre, Kusari–Lila ka përmendur vonesën e rishikimit të buxhetit për vitin 2015, me anë të të cilit pritet të jetësohen disa projekte mjaft të rëndësishme për banorët e komunës së Gjakovës. Bllokadë tjetër sipas saj po i bëhet edhe krijimit të parkut të biznesit, për faktin se në mungesë të kuorumit bordi i AKP-së nuk po mundet të vendosë për dhënien në shfrytëzim të komunës ndërmarrjet “Virxhinia” e ”Metaliku”.

Po ashtu Kusari–Lila, ka thënë se në mungesë të qeverisë, ka mbetur pa u kompletuar edhe bordi i ndërmarrjes publike “Aeroporti i Gjakovës”, bord i cili ka pasur për detyrë përgatitjen e koncesionimit të aeroportit të Gjakovës.

Duke parë të gjitha këto probleme që ka shkaktuar në Gjakovë, mungesa e qeverisë qendrore, probleme të cilat me siguri se janë prezente edhe në komunat tjera, Kusari–Lila ka apeluar tek liderët vendor që t’i lënë anash apetitet për poste, por të mendojnë për zhvillimin e vendit dhe për të mirën e qytetarëve./radiogjakova/