“Gjakova rajon më i sigurt se rajonet tjera”
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë nënkolonel Ahmet Hasi dhe Drejtori i drejtorisë së Policisë kufitare nënkolonel Faton Alija, kanë raportuar para Komisionit Komunal për Siguri në Bashkësi, në mbledhjen e parë të vitit 2015 të këtij komisioni.
Nënkolonelët Hasi dhe Alija, të cilët për here të parë kanë marrë pjesë në takimet e këtij organizmi, kanë thënë se gjendja e sigurisë në komunën e Gjakovës vlerësohet si e qetë dhe stabile. Nënkolonel Hasi ka thënë se regjioni i Gjakovës rradhitet dukshëm më i qetë se regjionet tjera, për faktin se banorët e këtij regjioni, veçmas ata të komunës së Gjakovës e kanë një nivel më të lartë të vetdijes sa i përket kryerjes së veprave në dëm të shoqërisë.
Dy eprorët policor, por edhe anëtarët tjerë të këtij komisioni, e kanë vlerësuar si shqetësuese numrin e madh të qenve endacak, ndërsa kanë bërë presion tek komuna që sa më shpejtë të jetë e mundur ta zgjidhë këtë problem. Madje, në këtë takim ka pasur edhe zëra të shumtë që kanë kërkuar që komuna ta organizojë eleminimin fizik të qenve, anipse një gjë e tillë tashmë është e ndaluar edhe me ligj.
Një pikë tjetër e rendit të ditës së këtij takimi, ka qenë edhe shqyrtimi i kërkeses për kthim të 16 familjeve nga komunitetet RAE, të cilët jetojnë në kampe refugjatësh në Mal të Zi. Nga zyra komunale për Komunitete dhe Kthim, është thënë se ata mund të kthehen në Gjakovë, por paraprakisht lista me emrat e tyre është dorëzuar në organet policore për verifikimin e së kaluarës së tyre./radiogjakova/