.
Published On: Thu, Dec 12th, 2013

Gjakova, rajoni me më së paku evazion fiskal

Share This
Tags

ekonomia-pareGjakovë- Biznesmenët kosovarë vazhdojnë të mos e deklarojnë një pjesë të të hyrave. Gjithashtu konkurrenca jo fer, si pasojë e evazionit fiskal, dhe mosdeklarimi i punëtorëve mbesin si problematikat më të mëdha për të zhvilluar biznesin në vendin tonë, u tha në një tryezë të rrumbullaktë organizuar nga instituti për hulumtime “Riinvest”, njofton Kohavisioni.

Sipas këtij instituti, këto gjetje kanë dalë nga anketat me 600 biznese. Sipas anketës, në Kosovë raportohen 65.6 për qind të shitjeve, ndërsa 34.4 për qind nuk deklarohen, pasi ekziston bindja se fare lehtë bizneset mund t’iu ikin taksave dhe të mos kapen nga autoritetet.

Gjilani prin nga rajonet e tjera me evazionin më të lartë të taksave, me rreth 60 për qind të shitjeve të padeklaruara, ndërsa më së paku thuhet të ketë në rajonin e Gjakovës.

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka theksuar se viteve të fundit evazioni fiskal ka shënuar rënie.

Jan Peter Olters, menaxher për Kosovë në Bankën Botërore, ka thënë se nëse janë të sakta të dhënat e analizës, situata nuk është aspak e lakmueshme për ekonominë kosovare. Për informalitetin dhe evazionin fiskal, pjesëmarrës në tryezë nga partitë politike opozitare kanë kërkuar ndërmarrjen e hapave konkretë nga qeveria./koha/