Gjakova s’ka probleme me ujë
Gjakovë- Ndryshe nga disa vende tjera në Kosovë, Gjakova nuk do të ketë asnjë problem me mungesën e ujit të pijes. Këtë e konfirmojnë zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi”, të cilët thonë se në liqenin e Radoniqit ka sasi të mjaftueshme të ujit, bile kjo sasi edhe ka shënuar rritje ditëve të fundit.
Sipas këtyre zyrtarëve, aktualisht niveli i liqenit është 451 metra, nivel ky i kënaqshëm dhe i mjaftueshëm. Muhamet Lamaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun në kompaninë “Radoniqi”, thotë se kompania e ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe qytetarët nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen për mungesë eventuale të ujit.
Megjithatë, ai thotë se për të pasur ujë 24 orë edhe në të ardhmen, qytetarët duhet t’i paguajnë obligimet e tyre ndaj kompanisë./radiogjakova/










