.
Published On: Mon, Apr 23rd, 2018

Gjini paralajmëron ata që hedhin mbeturina: E dimë kush jeni, së shpejti gjoba

Share This
Tags

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, të hënën paralajmëroi të gjithë ata persona të cilët hedhin mbeturina në vende të papërshtatshme se tashmë janë të njohur për organet kompetente dhe se së shpejti do të fillojnë të merren masa.

Gjatë një aktiviteti për të shënuar Ditën e Tokës, Gjini tha se Komuna disponon me xhirime të këtyre personave që abuzojnë edhe me pikat e mbledhjes dhe se është koha e fundit që këta të ndalen.

Kreu komunal shtoi se nuk është në interesin e Komunës të gjobisë, por duket se të gjitha metodat e tjera janë shteruar dhe kanë mbetur vetëm gjobat.

“Dua të apeloj tek të gjithë që të mos hedhin mbeturina. Ne kemi xhirimet të gjithë atyre personave dhe të atyre që abuzojnë me pikat e mbledhjes së mbeturinave, së shpejti do të fillojmë me gjoba. Nuk është në interesin tonë të gjobisim, por duket se nuk kemi zgjidhje tjetër”, deklaroi Gjini.

Në aktivitetin për Ditën e Tokës ku mori pjesë Gjini u mbollën lule pranë shtatores së Nënë Terezës.

Bashkë me kryetarin ishin edhe gratë asambleistë nga të gjitha partitë në Kuvendin Komunal të Gjakovës si dhe përfaqësues nga Zyra për Barazi Gjinore.

Kryetarja e grupit të grave asambleiste, Mimoza Shala tha se ky aktivitet është edhe një thirrje për qytetarët për t’u kujdesur për ambientin.

Dita e Tokës u shënua pothuajse në të gjitha shkollat e Gjakovës me mbjelljen e fidaneve dhe luleve nëpër oborre ku u angazhuan nxënës dhe mësimdhënës.

Dita e Tokës mëton vetëdijesimin e njerëzve lidhur me degradimin e vazhdueshëm të planetit tonë, përfshirë keqpërdorimin, ndotjen nga industritë kimike dhe erozionin e shkaktuar nga shpyllëzimet masive./radiogjakova/