.
Published On: Fri, Mar 30th, 2018

Gjini prezanton planet e ekzekutivit për këtë vit, kritikohet nga opozita

Share This
Tags

Kryetari Ardian Gjini përpara asamblistëve gjakovarë të premten shpalosi planin e punës së ekzekutivit për vitin 2018, në të cilën ishin përfshihu objektivat e planifikuara nga secila drejtori veçmas.

Gjini veçoi konceptin e tij qeverisës e cila është rritja e të hyrave, shtimi i investimeve nga jashtë institucionit të komunës, hyrje-daljet e qytetit, qarkorja, vazhdimi i projektit të rrugës “Bujar Roka”, zgjerimi dhe zgjatja e rrugës për në “Majën e Kurorës”, impianti dhe kolektori i ujërave të zeza, rregullimi i shëtitores tek lumi “Krena”, renovimi dhe aneksi i objektit të komunës, si dhe projekte të tjera infrastrukturore, sociale, kulturore, e të tjera, në dobi të qytetarëve.                                                 

Mirëpo, kjo pikë nuk kaloi pa debate. Kuvendari i LDK-së, Bekim Ermeni, tha se plani i prezantuar nuk është i qartë, pasi nuk ka të përfshirë edhe kohën e realizimit të projekteve dhe elemente të tjera të rëndësishme.                                                         

Vërejtje pati edhe asamblistja e Alternativës, Diana Qarkaxhija, që deklaroi se premtimet për investime i kujtojnë fushatën zgjedhore. Ajo përmendi edhe numrin e lartë të këshilltarëve dhe planifikimin e punës së Drejtorisë së Arsimit, që sipas saj, ngjason me atë kur Qarkaxhija ishte në krye të këtij dikasteri.

Por, asamblisti i Partisë Shqiptare Demokristiane, Zef Komani, ka thënë se llogaritë për këtë ekzekutiv duhet të kërkohen pas 4 vitesh, jo tani pas 4 muajsh në pushtet.

Përpos informatës së kryetarit Gjini, nga kryesuesi i Asamblesë, Anton Shala, është bërë prezantimi i planit të punës së kuvendit për periudhën Mars-Dhjetor 2018, duke bërë të ditur se ky plan është harmonizuar në bashkëpunim me kryetarin e komunës dhe me ekzekutivin.

Debat pati edhe pas prezantimit të raportit final financiar të komunës së Gjakovës për vitin 2017 nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj. Debati u përqendrua tek borxhi i trashëguar që administrata aktuale pretendon se janë lënë 13 milionë euro, ndërsa përfaqësuesit e ish-administratës së kaluar thonë se borxhi nuk e kalon as shifrën e 1 milionë eurove.

Megjithatë, pas miratimit të kësaj pike, po nga drejtori Halilaj është kërkuar dhe miratuar edhe bartja e buxhetit të pashpenzuar nga viti i kaluar në vitin 2018 në shumë prej 1 milionë e 195 mijë euro./radiogjakova/