Grafitet tek Kisha, Policia shoqëron një person
Persona të panjohur kanë shkruar grafite të ndryshme në murin rrethues të Kishës Ortodokse në Gjakovë. “UÇK” dhe “UÇK Gjakova” janë mbishkrimet që janë vendosur në murin e kësaj Kishe.
Këto mbishkrime kishin ndodhur në ditën e protestës kundër deklaratave të ministrit Aleksandar Jabllanoviq.
Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës ka konfirmuar se ka marrë një informatë për këto mbishkrime dhe ka dalë në vend të ngjarjes.
“Për momentin kemi një person të shoqëruar në stacion por ende nuk e dimë se kush i ka bërë këto grafite”, ka thënë komandanti Kristë Gjoka.
Edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila përmes një statusi në Facebook ka reaguar ndaj këtyre grafiteve.
“Forca jonë qëndron në guximin për të bashkëjetuar me të tjerët në paqe dhe në respektimin e vlerave dhe parimeve njerëzore. Etiketimet apo mbishkrimet në kishën ortodokse serbe nuk i bëjnë nder askujt”, tha Kusari- Lila.
Ajo tha se personat që kanë bërë këto mbishkrime “e kanë qëllimin të njollosin vlerën e UÇK-së dhe Gjakovës”. /kallxo.com/