.
Published On: Tue, Jun 13th, 2017

Grupi NA, gati për një natë të paharrueshme

Share This
Tags

Rok-grupi shumë i vlerësuar NA rikthehet në vendlindje me një koncert për Ditën e Çlirimit. Sonte (e martë) në mbrëmje në ora 20:00 do të mbahet koncerti recital i këtij grupi që po pritet më interesim të madh nga adhuruesit e tyre në Gjakovë.

Këngëtari i këtij grupi, Kreshnik Koshi, tha se janë gati për një mbrëmje të paharrueshme.

“Prova kemi bërë në Tiranë , ndërsa në ditët e fundit edhe në pallatin e kulturës.Ato këngë vërtet janë të grupit, por kishim kohë që nuk i kishim kënduar, prandaj na duheshin provat. Në përgjithësi mendoj se se jemi shumë mirë dhe të gatshëm për koncertin”, tha Koshi.

Grupi NA, një ndër grupet më të dashura edhe në Shqipëri, vjen për herë të parë me një koncert recital në Gjakovë. Megjithatë, për Koshin më emocinuese mbetet fakti se ky koncert vjen në vigjilje të përvjetorit të Ditës së Çlirimit.

“Ndjesi shumë e veçantë për faktin se vjen në këtë ditë. Pra, më shumë është ndjesia e datës edhe e kujtimeve që kemi sesa që jemi marrë ne kohë më përpara me organizime e gjëra të tilla”, vijoi ai.

Këngëtari i Grupit NA, Kreshnik Koshi, gjithashtu shton se ky koncert vjen në momentin më të mirë për grupin, pasi mund të jetë shtysë për projektet e reja muzikore.

“Mendoj se për ne vjen në një moment shumë të mirë, pasi mund të na motivojë për të punuar për projekte të reja muzikore. Na duhet të punojmë që të kemi ndonjë këngë të re”, tha “Krashi”./radiogjakova/