.
Published On: Wed, Apr 26th, 2017

Hapet panairi i punës

Share This
Tags

Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe mbështetur nga organizata gjermane GIZ, të mërkurën kanë organizuar panairin e punës.

Biznese dhe organizata të ndryshme të komunës së Gjakovës kanë ofruar mundësi punësimi dhe praktikë në punë për të rinjtë nga mosha 18 deri në 30 vjeç.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bëhet fjalë për punësim jo me favore për njerëz të caktuar, por për punësim sipas standardeve bashkëkohore.

“Të gjithë institucionet së bashku, në veçanti ato vendimmarrëse, për përgatitjen profesionale që të rinjtë duhet të kenë kur të bëhen gati për tregun e punës. Ajo çfarë ne synojmë të bëjmë përmes organizimit të këtij panairi, dhe këtu dua të falënderoj Ministrinë e Punë dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, që bashkë me ne janë në këtë dhe krijohen ura e lidhjes dhe komunikimit midis punëkërkuesve dhe punëofruesve. Qëllimi i mbajtjes së panairit është se të gjithë punëkërkuesit të njohin sa më mirë kompanintë dhe të tejkalohen punësimet me mik ose për hatër të dikujt”, deklaroi Kusari-Lila.

Në anën tjetër, Drin Haraqia, kryeshef i ekzekutiv i Agjencionit të Punësimit, veçoi rëndësinë e Zyrave të Punësimit për punësimin e të rinjve.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar përmes zyrave të punësimit dhe Qendrave të Aftësimit Profesional kanë qenë ndërmjetës për 14 mijë vende pune. Sot të gjithë punëkërkuesit dhe punëdhënësit i inkurajoj që të shkojnë pranë zyrave të punësimit dhe të regjistrohen dhe të kërkojnë nga këto zyra se çfare ofrohet. Ne kemi shumë projekte si me GIZ, UNDP apo orranizata të tjera ku ofrojmë trajnime dhe bëjmë aftësimin profesional”, tha Haraqija.

Hapjën e solemne të panairit të punës e ka bërë përfaqësuesja e GIZ-it, Anke Petersen, ndërkohë që më pastaj punëdhënësit kanë filluar me prezantimin e vendeve të lira të punës:

“Kompania jonë ofron punë për inxhinier të bujqësisë, ekonomistë, promotere dhe punëtorë krahu. Gjithsej kërkojmë rreth 400 vetë”, tha Agron Aliskaj, përfaqësues ligjor i kompanisë “Stone Castle”.

“Ne po kërkojmë për një zdrukthtar, një gravar dhe një vizatues teknik” , tha Zenun Bajrami nga “Koba”.

Ndryshe, sipas kryetares së komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në panairin e punës janë prezantuar 37 kompani të ndryshme të cilat kanë ofruar rreth 500 vende të punës dhe të praktikës në punë.