.
Published On: Thu, Dec 7th, 2017

Hapet panairi në kuadër të aktivitetit “Javët e Biznesit Kosovar”

Share This
Tags

Në kuadër të aktivitetit “Javët e Biznesit Kosovar” që ka filluar nga 28 nëntori e që zgjasin deri më 17 shkurt të vitit të ardhshëm, e që tradicionalisht organizohen në të gjitha trojet shqiptare, të enjten në Gjakovë u mbajt panairi i prodhimeve vendore të prodhuesve kosovarë.

Prodhuesit vendorë nga mëngjesi kanë përgatitur stendat ku kanë ekspozuar prodhimet nga më të ndryshmet. Janë prezantuar edhe biznese të ndryshme shërbyese, ndërkohë që një tendë e veçantë i është dedikuar punimeve artizanale.

Panairi i shoqëruar me program muzikor u mbajt në qendër të qytetit tek parku kryesor dhe pati një numër të madh të vizitorëve.

Në hapjen solemne të “Javët të Biznesit Kosovar” në Gjakovë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka ftuar qytetarët e pranishëm në panair që të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore, pasi kështu i ndihmojnë edhe ekonomisë kosovare.

“Janë më shumë se 4 mijë produkte të ndryshme kosovare e rreth 80 kompani nga e gjithë Kosova që po prezantohen në këtë panair dhe ne ju bëjmë ftesë që nëse dëshironi të bëheni pjesë e zhvillimit të vendit duhet që të konsumoni prodhime vendore”, u shpreh Shahini.

Ky aktivitet u organizua nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe pasi përshendeti në emër shefit të Qeverisë panairin, kryetari i AKB-së, Shahini tha se të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që Gjakovën ta kthejmë në një vend prodhues.

“Dikur Gjakova ishte vend i prodhimit e promovimit, sot Gjakova është vend i shndërruar në tregëti, prandaj ne jemi sot këtu që t’ju themi se bashkarisht do të kthejmë Gjakovën vend prodhues, vend për të cilin nuk do të ketë arsye më të largohen të rinjtë për vende pune. Vendet e punës do të tentojmë që t’i hapim këtu me institucionet e investitorët e vendit dhe të huaj”, vijoi Shahini.

Produktet e tyre në këtë panairi i ekspozuan shumë kompani, ndër to edhe Qumështorja “Golaj”. Përfaqësuesja Erjona Ahmetaj tha se i vlerësojnë këto panaire, ndërsa foli për synimet e tyre.

“Si mision kemi që qumështorja të arrijë përmasat e një industrie ushqimore të suksesshme t’u sigurojë konsumatorëve produkte sa më cilësore dhe të certifikuara me standard europiane për prodhim”, u shpreh ajo.

Po ashtu, në këtë panair ishte i pranishëm edhe Alkent Pozhegu që përfaqësoi pasticerinë “Neë Vanilla”. Alkenti solli artin e frutave duke shkruar mbi bostan, ndërsa foli pak për biznesin e tij të ri dhe projektet e ardhshme.

“Ka pak ditë që kemi hapur pasticerinë dhe fast fodd-in ‘Neë Vanilla’ së bashku me tre miq të rinj në Gjakovë dhe tan ii jam përkushtuar më shumë këtij biznesi. Mirëpo, personalisht kam edhe disa ide për punime të tjera të cilat shpresoj t’i realizoj”, tha Pozhegu.

Arif Gashi nga industria e mishit “Apetit Gorup” nga Vushtria garantoi se produktet e kompanisë së tij janë po aq cilësore sa edhe ato të kompanive evropiane.

“Ne kemi prodhime të mishit dhe të njëjtat konsumohen mjaft. Janë shumë cilësore, prandaj ftoj që edhe të konsumohen të gjitha prodhimet vendore sepse kështu i ndihmojmë edhe shtetit”, deklaroi ai.

Një tjetër firmë që ekspozoi produktet e veta ishte ajo “Kodrat Çabrat”, ku Butrint Batusha foli për rëndësinë e këtyre panaireve.

“Ne kemi ekspozuar verërat e kuqe dhe rakitë e shtëpisë të cilat i prodhojmë vetë. Panaire si këto janë të rëndësishme sepse na japin mundësi që t’i njoftojmë klientët me produktet tona”, u shpreh Batusha.

Organizimi “Javët e Biznesit Kosovar” me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?” ka qëllim kryesor të promovojë ekonominë, të rris konsumimin e prodhimeve kosovare, të stimulojë bizneset vendëse dhe të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve sipas standardeve më të larta, duke krijuar mjedis të favorshëm afarist për një zhvillim më të hovshëm ekonomik./radiogjakova/