.
Published On: Thu, Jan 4th, 2018

Haradinaj: Borxhli ndaj Gjakovës, projektet nisin nga ky vit

Share This
Tags

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zgjodhi Gjakovën si komunën e parë për të vizituar pas zgjedhjeve lokale. Në kuadër të kësaj vizite, ai zhvilloi tri takime.

Fillimisht, u prit nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, me të cilin pati një takim me dyer të mbyllura. Më pas, kryeministri Haradinaj tha se biseduan për qeverisjen e mirë, arsimin, shëndetësinë dhe projektet e Qeverisë. Ai u shpreh se Gjakova do ta ketë vëmendjen e tij.

“Diskutuam për qeverisjen, për arsimin, për shëndetësinë dhe projektet që Qeveria ka planifikuar për Gjakovën, që Komuna duhet të bëjë pjesën që i takon dhe më pas të ndërhyjmë ne. Nuk e mohoj që Gjakova do të ketë vëmendjen time të veçantë”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari Ardian Gjini, pasi e falënderoi për vizitën e tij, tha se Gjakova pas shumë vitesh do të ketë vëmendjen e nivelit qendror dhe presin investime të rëndësishme për qytetarët.

“Jemi të nderuar që sot po presim kryeministrin Haradinaj, diskutuam për të gjitha projektet. Mora premtimin se do të kemi një bashkëpunim të ngushtë. Jemi të lumtur se pas shumë vitesh Gjakova do të gëzojë mbështetjen e merituar nga Qeveria e Kosovës”, deklaroi Gjini.

 Menjëherë pas këtij takimi, Haradinaj takoi anëtarët e Bordit komunal, asambleistët dhe krerët e këshillave bashkiakë. Në këtë takim munguan asambleistët e partive opozitare.

Këtu Haradinaj iu drejtua qeverisë komunale me porosinë për të punuar për të mirën e Gjakovës pasi nuk pranon jusitifikime.

“Ndjehem borxhli ndaj Gjakovës sepse më besoi, prandaj dua t’ia kthej me punë. Nuk e di çfarë ka ndodhur më përpara, por partitë tani që jeni në koalicion duhet të punoni. Në fund, për mos punën do të jem fajtor unë, Ardiani dhe ju, askush tjetër”, tha kreu i Qeverisë.

Në fund të kësaj vizite, kryeministri Haradinaj zhvilloi një takim me intelektualë, përfaqesuesit e institucioneve të sigurisë, komunitetin artistik, drejtorë shkollash e klerikë fetarë.

Kreu i qeverisë kosovare foli për testin e PISA-s ku tha se nxënësit gjakovarë nuk guxojnë të dalin me rezultate të dobëta, ndryshe do të kërkohet përgjegjësi deri te drejtorët e shkollave. Gjithashtu tha se do mbështesë projektin e kampusit universitar.

Po ashtu, u shpreh se projekti për zgjerimin e rrugës Gjakovë-Klinë do të nis këtë vit. Për zhvillimin e ekonomik, Haradinaj tha se do të duhet të qartësohet procesi i privatizimit që ka ndodhur vite më parë dhe të shikohen mundësitë që gjërat të lëvizin pozitivisht në këtë fushë.

Në fund, Haradinaj premtoi se kërkesën e Gjakovës për zonën industriale do ta miratojë brenda 24 orësh në një mbledhje te veçantë të Qeverisë sapo kjo kërkesë t’i dërgohet nga Komuna.

Gjithashtu, u përmend ndërtimi i ri i stadimut në Gjakovë, por tha se më parë i takon komunës që të nis procesin dhe më pas të investojë Qeveria./radiogjakova/