.
Published On: Wed, Mar 28th, 2018

Historia e Brigadës 137 që u krijua për të shpëtuar Gjakovën

Share This
Tags

Themelimi i Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës në Gjakovë dhe Kosovë. Por, si erdhi deri te vendimi për ta themeluar atë?

Më 24 mars 1999 menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Zona Operative e Dukagjinit, njoftohet se në qytetin e Gjakovës kanë filluar masakrat mbi popullatën civile. Djemtë dhe vajzat që ishin në radhët e UÇK-së, në mënyrë urgjente i parashtrojnë kërkesë komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, për futjen e tyre në qytetin e Gjakovës për të mbrojtur popullatën.

Katër ditë më vonë, më 28 mars 1999 me urdhëresën e lëshuar nga Komandanti, ky formacion luftarak emërtohet me emrin Brigada 137 “Gjakova” e UÇK-së.

19-vite më pas, komandanti i parë, Agron Kryeziu kujton rrethanat e vështira në të cilat ishte ngritur kjo brigadë.

“Njerëz vinin nga qyteti dhe na tregonin për gjendjen në Gjakovë. Kishin filluar dëbimet, vrasjet dhe Gjakova ishte në flakë. Duke biseduar me komandantin e ndjerë Avdullah Babalija dhe bashkëluftëtarët e tjerë vendosëm që duhem të hyjmë në Gjakovë”, tregon Kryeziu.

Mirëpo, Kryeziu thotë se komandanti i zonës, Ramush Haradinaj u vu në një pozitë të vështirë me kërkesën e grupit të Gjakovës për të ngritur një brigadë dhe për t’ia mësyrë qytetit të tyre të lindjes.

“Komandanti Haradinaj e kishte të vështirë sepse atij i pakësoheshin forcat dhe ato pozita ku ne ishim duke u operuar dobësoheshin. Pasi po këmbëngulnim për të hyrë në Gjakovë u vendos për të themeluar brigadën”, vijoi Kryeziu.

Ramush Haradinaj, me datën 28 mars 1999, nga fshati Dashinoc jep urdhëresën për krijimin e njësitit në shkallë Brigade të emërtuar Brigada 137 “Gjakova” e UÇK-së, bashkë me emërtimin e kuadrit komandues.

Me datë 29 mars 1999, kjo Brigadë me shumë pjesëtarë të armatosur, secili prej tyre i pajisur edhe me nga një armë dhe armatim shtesë, u futën në qytetin e Gjakovës. Kjo Brigadë ishte ndarë në 4 grupe, që ishin vendosur në 4 pozicione të qytetit. Tre grupet dhe Shtabi i Brigadës ishin vendosur në lagjet e Çabratit dhe një grup vendoset në Orize.

Në kuadër të detyrave të parashtruara, luftëtarët e kësaj brigade ndërmorën aksione të shumta për mbrojtjen e popullatës civile të Gjakovës.

Veçohet Epopeja e Çabratit kur në luftën frontale me armikun, në një distance të afërt, në datat 7, 8 dhe 9 maj ranë heroikisht 17 dëshmorë të kësaj brigade.

Angazhimi i Brigadës 137 Gjakova të UÇK-së në mbështetje të popullatës vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës. Njëri nga udhëheqësit e kësaj brigade, Hekuran Hoda, kujton ato momentet e para të Çlirimit.

“Ne kemi nisur me pastrimin e qytetit pasi siç e dimë kanë qenë me qindra dyqane dhe shtëpi të djegura, por ushtarët së bashku me organizatat e huaja kanë nisur edhe me pastrimin e minave. Po ashtu, kemi nisur me pastrimin e lumit Krena, ndërsa edhe me zhvarrosjen dhe varrosjen e dëshmorëve dhe martirëve”, tha Hoda.

Ai kujton edhe kërkesat e vështira të qytetarëve të cilët kishin humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës.

“Kemi pasur shumë raste në shtab kur një prind i një martiri ka ardhur dhe ka kërkuar një arkivol. Ne nuk kishim arkivole të gatshme sepse ne e dimë sa ka pasur atëherë. Kanë qenë vërtet kërkesa që na kanë vënë në pozita të vështira, por falë ndihmës së qytetarëve ia kemi arritur t’ia dalim”, vijoi Hoda.

Ndryshe, Brigada 137 “Gjakova” do të mbetet në historinë tonë, si e vetmja që bëri luftë urbane, ndërsa Gjakova si rajoni me kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe lirinë e Kosovës./radiogjakova/