.
Published On: Wed, Mar 28th, 2018

Homazhe në 19-vjetorin e Brigadës Gjakova 137 të UÇK-së

Share This
Tags

Është shënuar 19-vjetori i themelimit të Brigadës së UÇK-së, “Gjakova 137”, brigadë e cila për disa muaj veproi brenda dhe rreth qytetit të Gjakovës.

Në nderim të dëshmorëve, si dhe kontributit e sakrificës së djemve dhe vajzave të kësaj Brigade, familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të kësaj Brigadës nderuan me homazhe të rënët e lirisë.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Komunës së Gjakovës të kryesuar nga nënkryetari Ramadan Hoti që kanë vendosur kurora me lule para varrezave të dëshmorëve në Gjakovë.

Me këtë rast, nënkryetari Hoti ka thënë se institucionet lokale në Gjakovë asnjëherë nuk do ta harrojnë angazhimin dhe kontributin e luftëtarëve të lirisë, të cilët jo vetëm në kuadër të Brigadës “Gjakova 137”, por edhe më herët në vija të ndryshme të frontit, kontribuuan që Kosova më në fund të jetë e lirë dhe e pavarur.

I gjendur jashtë vendit, kryetari i Komunës, Ardian Gjini, përmes një deklarate për media uroi për këtë ditë që e quajti historike.

“Guximi, angazhimi dhe sakrifica e secilit ushtar ka bërë që nderi dhe lavdia ta mbulojnë këtë brigadë dhe ta ngritin atë në piedestalin më të lartë të krenarisë sonë kombëtare”, tha Gjini.