Infrastruktura shkollore sfidon kurrikulën e re në Gjakovë
Viti i ri shkollor 2017-2018, edhe në shkollat e komunës së Gjakovës ka nisur me aplikimin e kurrikulës së re të arsimit të bazuar në kompetenca.
Një gjë e tillë është e shoqëruar edhe me sfida specifike, duke filluar nga përgatitja joadekuate e mësimdhënësve, deri tek mungesa e teksteve dhe burimeve të tjera mësimore të përshtatshme.
Si thuhet në planin zhvillimor të arsimit, një sfidë e veçantë për shkollat e Komunës së Gjakovës është mungesa e mjeteve të konkretizimit, përkatësisht kabineteve përkatëse.
Marrë në tërësi në tri shkolla të Komunës së Gjakovës mësimi elektronik organizohet nëpër klasa, falë mbështetjes së një projekti i cili ka siguruar një numër të televizorëve smart dhe qasjen në një platformë me materiale mësimore në gjuhën shqipe, ndërkaq, vetëm 7 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, si dhe Gjimnazi “Hajdar Dushi” kanë laboratorë për lëndë shkencore.
Ndryshe, zbatimi i kurrikulës së re të bazuar në kompetenca është sfidues për shumicën e mësimdhënësve, pasi bëhet fjalë për një qasje krejtësisht të re ndaj procesit të mësimdhënies, ndërkohë që mbeten vështirësitë për sigurimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të TIK-ut, që, kryesisht, lidhen me probleme të natyrës financiare, por edhe organizative./radiogjakova/