“Inova”, në Gjakovë, inauguron linjë të re prodhuese
Ndërmarrja Prodhuese “Inova”, në Gjakovë e njohur për prodhimin e tubave plastikë që përdoren në rrjetet e kanalizimit, ujësjellësit, elektrikes e tjera sot ka bërë inaugurimin e një linje të rë prodhuese. Në këtë ceremoni të inaugurimit të njërës prej ndërmarrjeve më të vjetra jo vetëm në komunën tonë por dhe më gjerë, ka marr pjesë edhe Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari- Lila. “Zhvillime të tilla, si tha ajo, janë të mirëseardhura për komunën e Gjakovës, e cila më shumë se kurrë ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe krijime të vendeve të reja të punës”, duke theksuar se ndihet e lumtur që një projekt i nisur në kohën sa ishte drejtuese e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për përkrahje sektorit privat po jep rezultate konkrete me hapje të vendeve të reja të punës. “Për të pasur sukses në zhvillim ekonomik, duhet që gjitha institucionet të bashkërendisin përpjekjet për zhvillim të sektorit privat, niveli lokal, ai qendror, komuniteti i donatorëve dhe të gjitha agjencitë relevante në Kosovë. Kjo ndërmarrësi është e rëndësishme se sot me Linjën e re të prodhimit hapen 15 vende të reja të punës, 15 familjeve u shtohen të ardhurat dhe u sigurohet ekzistenca. Vetëm me zhvillim të sektorit privat, do të kemi më shumë punë, zhvillim dhe përparim të shoqërisë”, ka shtuar Kusari-Lila. Ndryshe Ndërmarrja Prodhuese “Inova”, e themeluar në vitin 1989, është e njohur për prodhimin e tubave plastikë që përdoren në rrjetet e kanalizimit, ujësjellësit, elektrikes e tjera. Linja e re prodhuese e inauguruar sot, është ngritur falë programit “Mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme”, projekt ky i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.










