.
Published On: Fri, Dec 12th, 2014

Ja vendimet e fundit të Bordit të Drejtorëve

Share This
Tags

bordi-drejtoreveBordi i Drejtorëve i Komunës së Gjakovës ka mbajtur mbledhjen e radhësdhe për trajtim në këtë mbledhje kanë qenë disa çështje dhe kërkesa me rëndësi për qytetarat e komunës, si dhe për komunën si institucion. Për kërkesën e paraqitur nga Dashurie Rizvanolli në vlerë  prej 1.480 euro për subvencionim e Qendrës së Telemjekësisë, projektin e së cilës e ka në përgaditje e sipër , është arrdhur në përfundim që kjo kërkesë të ritrajtohet.

Përsa i përket veprimtarisë së punës së N.P.T. “Bled 2”, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila theksoi se nga qytetarët po shprehen shqetësime të shumta, sidomos që në mënyrë të veçantë paraqet josiguri për banorët dhe për personelin mësimor dhe nxënësit e shkollës fillore “Mustafa Bakija”, dhe për këtë qëllim edhe u formua komisioni i posaçëm për të konstatuar veprimtarinë, dhe më pas të trajtohet në mënyrë adekuate.

Nga Bordi i Drejtorëve është arritur përfundimi që me tre mijë euro të subvencionohet OJQ “Femrat Aktive të Gjakovës” për përgaditjen e ambientit dekorues të qytetit për festat e fundvitit 2015. Nga Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, është dhënë informata se në mënyrë të vazhdueshme është duke punuar komisioni për të gjeturat përsa i përket kiosqeve dhe bilbordave, dhe se së shpejti në Bordin e Drejtorëve do të sillet raporti final.

Bordi ka trajtuar edhe kërkesën tjetër të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit që nga KEDS-i të kërkohet një plan detal të vendosjes së kasetave të orëmbajtësve, e cila është miratuar. Silvana Domi, drejtore e Drejtorisë së Zhvillimet Ekonomik ka prezentuar një raport rreth taksës në firmë, ku konstatohet se vlera reale e borxhit mund të jetë 735 mijë euro. Mirëpo, nga Bordi është arritur në përfundim  që të bëhet korigjimi i sistemit për shkak të anomalive të mëhershme dhe se të shikohet mundësia që borxhi i mbetur të riprogramohet.

Nga kryetarja Mimoza Kusari Lila është hedhur në diskutim çështja e të gjitha bizneseve që nuk janë të regjistruara në komunën e Gjakovës, dhe pas diskutimit, posaçërisht me drejtorët e drejtoritë gjegjëse, është arritur në përfundim që ato biznese të cilat nuk janë të pajisura me dokumentacione përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë, pas datës 25 dhjetor të këtij viti, do t’u nënshtrohen masave ligjore, ku mund të rrezikojnë edhe mbylljen e tyre.

Xhelal Hoxha, zyrtar në Zyrën e Prokurimit ka njoftuar drejtorët se deri me datë 19 dhjetor duhet të dorëzojnë planifikimet përfundimtare për vitin 2015. Në këtë kontest, Kusari Lila nga drejtorët ka kërkuar që në vitin 2015 të mos ketë defekte serioze, që nënkupton që të mos ketë modifikime pas shpalljes së tenderit si dhe të procedohet me procedurë të shpejtë.

Dukuria e shfaqjes në numër më të lartë të qenve endacak, sidomos në brendi dhe në periferi të qytetit, ku për rrjedhojë po sjell edhe shqetësimin e lartë të qytetarëve për rrezikshmërinë që mund të sjellin, është shqyrtuar nga Bordi i Drejtorëve. Burim Meqa, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka pohuar se dokumentacioni është i gatshëm për shpallje të tenderit për trajtimin e qenve endacak, dhe me këtë rast edhe është miratuar kërkesa për shpalljen e tenderit.

Ndërkaq, Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën financiare për periudhën janar-nëntor të vitit 2014. Sipas kësaj informate, të hyrat vetanake në këtë periudhë kohore kanë qenë 2.375. 033.36 euro, ose 84, 29 përqind të planifikimit periodik që arrin vlerën 2.817, 809.00./radiogjakova/