Jabllanoviq: Kam kërkuar falje, s’mund të them tjetër gjë
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq ka komentuar shkurt thirrjet për protesta kundër tij, duke thënë se ka kërkuar falje.
“Kam kërkuar falje dhe s’mund të them diçka tjetër”, ka thënë Jabllanoviq për televizionin publik.
Presioni për shkarkimin e Jabllanoviqit nuk po ndalet. Dje ka pasur protesta në Malishevë e Deçan, ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë. Për sot është paraparë protestë në Gjilan, e neser në Prishtinë.
Jabllanoviq i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare dhe protestuesit që u kishin ndaluar pelegrinëve serbë që të shkojnë në kishën në Gjakovë, derisa ende nuk dihet për fatin e shumë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një konferencë për media në zyrat e qeverisë Jabllanoviq kishte thënë se u kërkon faljet të gjithë atyre nënave që janë ndier të ofenduara nga deklarata e tij.