Jabllanoviq: Krejt këtë lëmsh e ka krijuar Kusari-Lila
Për tensionet rreth deklaratës së Aleksandar Jabllanoviqit, ministër në qeverinë e Kosovës për Kthim e komunitete, me të cilën ai i kishte quajtur egërsira qytetarët e Gjakovës që kundërshtuan vizitën e eskortës serbe në këtë qytet për shkak se aty ndodheshin kriminelë të supozuar për krime lufte në Gjakovë, ka shkruar edhe gazeta “Politika” e Beogradit.
Kjo gazetë ka publikuar deklaratën e Jabllanoviqit, i cili ka thënë se po bëhet një ndjekje e qëllimshme kundër tij duke, siç ka shtuar ai, “e shtrembëruar deklaratën, të cilën ai gjoja nuk ua ka dedikuar gjithë gjakovarëve, por vetëm protestuesve”.
Jabllanoviq, madje me këtë rrëfim për “Politikën”, ka thënë se ai është fabrikim i kryetares Mimoza Kusari Lila, e cila, sipas tij, po hetohet për një rast korruptiv derisa ishte ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Jabllanoviq në të njëjtën kohë ka hedhur poshtë, siç i ka quajtur ai, spekulimet për ndërrimin e tij.
Për “Rastin Jabllanoviq” ka folur edhe ministri i MAPL-së, Lubomir Mariq, i cili për këtë gazetë ka thënë se ai i ka dënuar vetëm ata që e kanë shkelur ligjin, rendin e qetësinë publike dhe se tani, sipas tij është e rëndësishme që të evitohet çdo përçarje armiqësore.
“Situata ku nuk ka lëvizje të lirë dhe sidomos ajo më e reja e grafitit UÇK në një kishë të Lipjanit sjell frikë të të kthyerit. Bashkësia serbe ka dëshmuar dëshirë për pajtim me pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai./koha/