Jabllanoviq mund të përballet me Gjykatën Kushtetuese
Për shkak të deklaratave fyese që ka bërë ministri Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq ndaj familjarëve të të zhdukurve, do të mund të përballet me Gjykatën Kushtetuese.
Në rast se Qeveria e Kosovës nuk e shkarkon atë, deputetët e Kuvendit të Kosovës apo edhe Avokati i Popullit ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe gjë e cila sipas njohësve të çështjeve kushtetuese mund të përfundoj me shkarkimin e tij.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë për “Zëri”, se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak të gjuhës që ka përdorur Jabllanoviq dhe sipas tij, mbi këtë bazë deputetët mund ta kërkojnë shkarkimin e tij.
“Sigurisht që munden deputetët e Kuvendit që të marrin iniciativë të tillë. Janë deputetët e opozitës apo edhe Avokati i Popullit që mund të marrin këtë iniciativë e ta dërgojnë në gjykatë”, ka thënë Baraliu për “Zëri”.
Sipas tij, me deklaratat që ka bërë Jabllanoviq, ka prekur vlerat e dinjitetit njerëzorë dhe se në këtë rast vetë Jabllanoviq duhet të kërkoj falje dhe të jap dorëheqje.
“Kjo është çështje e mos respektimit të vlerave dhe të dinjitetit njerëzor, kjo është çështje shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha i takon atij individi që të kërkoj falje sepse ka bërë një deklaratë e cila ka prekur dinjitetin e njerëzve”, ka thënë Baraliu, i cili shtoi se Qeveria e Kosovës është dashur të reagoj menjëherë për deklaratat e Jabllanoviqit e më pas, ky i fundit të jap dorëheqje.
Në anën tjetër partitë politike thonë se do të përkrahin dhe do të marrin çdo iniciativë deri në shkarkimin e Jabllanoviqit.
Bali Muharremi, deputet i AAK-së ka thënë për “Zëri”, se jo vetëm Jabllanoviq, por të gjithë serbërt duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se Kosova nuk është djep i Serbisë.
“Ai për 24 duhet të shkarkohet nga qeveria e Kosovës e kryeministri duhet të marrë masa që të largohet. Ashtu siç pati protesta sot në Gjakovë do të ketë protesta masive deri në largimin e tij”, ka deklaruar Muharremi.
Ai po ashtu ka thënë se nuk ka aspak logjikë që një person i cili është pjesë e Qeverisë së Kosovës t’i drejtohet asaj si Kosova dhe Metohi, dhe sipas tij, një person i tillë nuk duhet të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës.
“Duhet patjetër deputetët e Kuvendit që të marrin masa për shkarkimin e tij”, ka thënë tutje Muharremi.
Ndërkaq zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, ka thënë se vetë Qeveria është përgjegjëse për deklaratat e Jabllanoviqit.
“Një qeveri që e mban Jabllanoviqin për Ministër, ajo qeveri është po aq përgjegjëse për ato deklarata fashiste sa edhe vet Jabllanoviqi. Në rast se Kryeministri Mustafa nuk e shkarkon këtë ministër ne do të kërkojmë dorëheqjen e tij dhe të gjithë Qeverisë”, ka thënë Vraniqi.
Kurse, Bilall Sherifi nga NISMA ka thënë se ky subjekt politik do ta mbështes çdo iniciativë që ka të bëj me shkarkimin e Jabllanoviqit.
“Ne si NISMË kemi mbështetur të gjitha iniciativat të shoqatave dhe të grupit të nënave dhe kemi dënuar gjuhën të cilën e ka përdorur Jabllanoviq. Por, shqetësuese është indiferenca që ka kapluar partnerët e koalicionit të tij”, ka thënë Sherifi.
Sipas tij, shqetësuese po ashtu është edhe politika e Jabllanoviqit, pasi që siç theksoi ai, politika e Jabllanoviqit është e njejtë me atë të Millosheviqit, por vetëm me mjete të tjera.
Deklarata fyese e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq mund t’i kushtojnë atij deri në dhjetë vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, në kapitullin 14 në veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikë, fyerjet konsiderohen si vepra penale.
Në pikën e parë të Nenit 147 thuhet se “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe të tjera të tilla që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet burgim”.
Kurse në pikën katër (4) thuhet se kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi 3 i këtij Neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet./zeri/