.
Published On: Mon, Jan 12th, 2015

Jabllanoviq rrezikon 10 vjet burg

Share This
Tags

jabllanovic-aleksanderDeklarata fyese e Aleksandër Jabllanoviqit, ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, mund t’i kushtojë deri në dhjetë vjet burgim. Kështu parashikon Kodi Penal i Kosovës, për të gjithë ata që nxitin urreje ndëretnike. “Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt”, kështu ka thënë Jabllanoviq, në ditën kundër pelegrinët serbë u penguan të hyjnë në Gjakovë. Kjo deklaratë nxiti reagime gjithandej opinionin në Kosovë, madje në Gjakovë u organizua edhe protesta.

Mirëpo, sipas Kodin Penal të Kosovës, në kapitullin 14 në veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikë, fyerjet konsiderohen si vepra penale. “Në pikën e parë të Nenit 147 thuhet se “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe të tjera të tilla që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet burgim”.

Kurse në pikën katër (4) thuhet se kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi 3 i këtij Neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet.

Deklarata e ministrit Jabllanoviq ka irrituar qytetarët e Gjakovës, duke përmendur këtu edhe të parën e kësaj komunë, Mimoza Kusari-Lilën. Ajo ka thënë për “Zërin” se tërheqja e fjalës nga ana e tij nuk është valide.

“Krejt qasja e tij lidhur me rastin kanë qenë ajo se çka ndien ai brenda. Për ne është një sfidë shumë e madhe për të bashkëpunuar me një ministër i cili ka qasje ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ajo, duke shtuar se nuk do marr pjesë në tubimin që do të mbahet në komunën e Gjakovës kundër këtij ministri. “Jo, nuk do të jem pjesë e protestës, por moralisht konsideroj se qëllimi i protestës është i drejtë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, analistët e kanë konsideruar të ulët deklaratën e kreut të Listës “Serbska”.

Analisti për çështje politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë për “Zërin” se politikanët serbë vazhdimisht e kanë keqpërdorur statusin e pakicës dhe diskriminimin pozitiv që ju bëhet atyre në Kosovë dhe kjo, sipas tij, shpesh ka kaluar në arrogancë siç e ka dëshmuar edhe rasti i deklaratës së Jaballanoviqit.

“Derisa të ekzistojë kjo qasje e bashkësisë ndërkombëtare ndaj pakicave në Kosovë do të vazhdojë edhe kjo sjellje e tyre sepse edhe politikanët kosovarë qëndrimi ndaj serbëve varet nga presioni ndërkombëtar sepse politikanët serbë në Kosovë nuk duan të jenë partnerë të barabartë, por gjithmonë synojnë që të luajnë me letrën e të qenit të rrezikuar edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet nga përfundimi i luftës. Kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, nuk e ka të lehtë të balancojë mes presionit ndërkombëtar të arrogancës së Jabllanoviqit dhe realitetin që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurse, analisti Fisnik Korenica vlerëson se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë të kenë një ministër si puna e Aleksandër Jabllanoviqit. Sipas tij, ky ministër ka bërë shkelje të rënda kushtetuese pas deklaratave poshtëruese dhënë ditë më parë. “Deklarata e Jabllanoviqit, ne kuptimin politik, është tregues i nacionalizmit të egër që atij i është “urdhëruar” të ndjekë nga shefi i tij Vuçic. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që nuk meritojnë të kenë një ministër të tillë në Qeverinë e tyre, por ky ministër po bën shkelje të rëndë të Kushtetutës së shtetit të Kosovës, e cila ndalon që ushtrimi i pushtetit nga bartësit e lartë të shfrytëzohet për të nxitur tensionet ndëretnike në vendin tonë”, tha ai./zeri/