.
Published On: Tue, Dec 3rd, 2013

Jacobson uron gjakovarët

Share This
Tags

tracy_jacobsonAmbasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, është shprehur e kënaqur të martën për përzgjedhjen që kanë bërë qytetarët e Komunës së Gjakovës, të cilët kanë votuar kandidaten e Aleancës Kosova e Re (AKR), Mimoza Kusari-Lila për kryetare të kësaj komune.

“Kurrë nuk loboj, dhe nuk e përgëzojë vetëm një individ të caktuar, por, më duhet të them se e njoh personalisht Mimoza Kusari-Lila, jam takuar me të kur ka qenë edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, dhe mendojë se njerëzit e Gjakovës janë shumë fatlum që e kanë atë, meqenëse ma merr mendja se do të bëjë punë shumë mbresëlënëse”, ka thënë ajo.

Diplomatja amerikane është shprehur e bindur, gjithashtu, se kryetarja e Gjakovës që ka “thyer akullin” duke u zgjedhur kryetarja e parë e një komune do të jetë model për femrat tjera.“Është vështirë gjithmonë me qenë pionier, e para, por nëse dikush mund ta bëjë këtë, atëherë është Mimoza Kusari-Lila e cila do ta lehtësojë punën edhe për femra të tjera të cilat dëshirojnë të përfshihen në politikë”, ka theksuar ajo, pasi ka marrë pjesë në ekspozitën e personave me nevoja të veçanta, që është organizuar sot për nderë të Ditës Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Para gazetarëve Jacobson ka folur edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa ka thënë se është krenare që Kosova ka arritur me sukses ta përfundojë rundin e dytë zgjedhor, dhe gjithashtu se kosovarët nuk kanë hezituar të dalin e të votojnë. “Zakonisht në rundin e dytë në zgjedhje, gjithmonë ka qenë një dalje më e vogël e votuesve, këtë herë numri i votuesve ka qenë shumë më i madh. Dhe kjo mendojë se tregon besimin e njerëzve në sistemin zgjedhor, se vota e tyre do të llogaritet”, është shprehur ajo.

Përfaqësuesja e Qeverisë Amerikane në Kosovë, ka thënë se është shumë falënderuese ndaj udhëheqësve politik, të cilët, siç ka thënë ajo, gjatë takimeve i kanë premtuar se zgjedhjet do të jenë fer, të lira e demokratike – të tilla siç ishin. “Gjithashtu më duhet të lavdërojë edhe strukturat e sigurisë dhe të drejtësisë, siç është Policia e Kosovës dhe Prokuroria të cilat kanë punuar që zgjedhjet të shkojnë”, ka thënë ajo.

Ambasadorja amerikane iu ka përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa ka theksuar se forma e këtij institucioni është duke u diskutuar në Bruksel. “Por shpresojë se do të ketë mundësi të gjendet një sistem i cili do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe shpresojë poashtu se të gjithë këta drejtor të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të kenë mundësi të bashkëpunojnë, të kooperojnë së bashku me të tjerët”, ka thënë ajo.Jacobson ka theksuar se poashtu kryeministri Thaçi dhe kryeministri Daqiç do ta diskutojnë këtë çështje në takimin e ardhshëm në Bruksel. /Indeksonline/