Jepet në shfrytëzim kinemaja, për Taphanën s’ka interesim
Komuna e Gjakovës pas shumë përpjekjeve ka arritur që ta jap në shfrytëzim hapësirën e Pallatit të Kulturës, përkatësisht vendin ku për shumë vite ka qenë kafiteri “Scorpion”.
Sipas drejtorit Ferizi ka mbetur vetëm nënshkrimi i marrëveshjes në mes të nënkryetarit të komunës dhe përfaqësuesit të kompanisë që do të menaxhojë me këtë hapësirë.
Shfrytëzuesi i hapësirës së Pallatit të Kulturës ka për detyrë aktivizimin e kinemasë së qytetit, që është edhe synimi kryesor i Drejtorisë së Kulturës.
Ndryshe nga ky objekt, mungesa e ofertave ka bërë që muzeu i muzikës akoma të jetë i pashfrytëzueshëm.
Ndonëse Drejtoria e Kulturës disa herë ka kërkuar ofertues përmes ankandit publik, sipas drejtorit për Kulturë, Meriton Ferizi deri më tash nuk ka pasur të interesuar që të marrin në shfrytëzim pjesën përdhesë të këtij objekti i cili gjendet në Taphane.
Sipas Ferizit, Komuna e Gjakovës do të provojë edhe një herë që përmes ankandit publik të gjejë një ofertues që do të menaxhojë pjesën e poshtme të këtij objekti.
Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë sipas Ferizit së paku do të bëhet funksionimi i muzeut./radiogjakova/