.
Published On: Wed, Apr 9th, 2014

Jubileu i Betejës së Koshares pa akterët kryesorë të saj

Share This
Tags

ushtar-koshKoshare- Komanda dhe ushtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë vendosur që t’i bojkotojë të gjitha aktivitetet për shënimin e 15-vjetorit të Betejës së Koshares. Këto aktivitete ishin planifikuar të organizoheshin nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Këtë e ka konfirmuar për gazetën Hysen Berisha, njëri prej komandantëve të Koshares, përkatësisht komandanti i Batalionit të parë të kësaj brigade.

“Meqenëse ky është përvjetor jubilar i betejës së Koshares patëm vendosur që ta shënojmë në mënyrë më madhështore, mirëpo zhvillimet e fundit që ndodhën me Ligjin për Veteranët e Luftës, patën konsekuencë që në si komandantë e Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ të marrim një vendim që manifestimi ‘Ditët e shqipes’ të anulohet. Ky nuk është neglizhim i këtij përvjetori, por është shprehje e pakënaqësisë me karakterin përjashtues të cilin e ka ligji aktualisht”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, Berisha ka shtuar se ditët që konsistojnë me ditët e betejës së Koshares janë pjesa më e rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj beteje, prandaj kanë vendosur që në mënyrë të pavarur ta shënojnë këtë përvjetor.

“Sot është një ditë e veçantë të cilën e përjetojmë të gjithë, por në mënyrë më të ndjeshme e përjetojnë bashkëluftëtarët dhe familjarët e dëshmorëve të Koshares. Prandaj, ne si bashkëluftëtarë do ta vazhdojmë aktivitetin tonë, duke i nderuar të gjithë dëshmorët dhe duke bërë vizita nëpër familjet e tyre”, ka shtuar Berisha të martën.

E, duke folur rreth mospajtimeve me ligjin e ri, Berisha ka shfaqur bindjen e tij se në një të ardhme të afërt, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe vetë qeveria e vendit, do ta pranojnë zgjidhjen më të mirë, që në fakt është amendamentimi i ligjit.

“Në ligj duhet të përfshihet edhe rruga historike që nga mobilizimi, autorizimi për veprim dhe veprimi nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes së atëhershme, të njësive të formuara po ashtu nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo është një zgjidhje e pranueshme për të gjithë dhe sinqerisht besoj se do ta gjejmë mirëkuptimin në këtë drejtim”, ka përfunduar Berisha./zeri/