KA “Gërmia 555”, merr pjesë në edicionin e 33-të të Maratonës Ndërkombëtare “Vienna City Marathon”
Kryetarja e komunës Mimoza kusari Lila do ta sprovoj veten edhe në një aktivitet tjetër ndërkombëtar sportiv. 11 anëtarë të Klubit të Atletikës “Gërmia 555”, do të marrin pjesë në edicionin e 33-të të Maratonës Ndërkombëtare “Vienna City Marathon”, duke shënuar kështu herën e parë që disa atletë nga Kosova marrin pjesë në një aktivitet kaq të madh sportiv. Kjo maratonë në të cilën pjesmarrjen e kanë paralajmëruar mijëra garues nga e tërë bota, do të mbahet nesër në një distancë prej 42
Kilometra dhe 195 metra në kryeqytetin austriak. Pjesë e grupit të atletëve kosovarë është edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila njihet si një pasionante e dalluar e vrapimit. Vetëm muajt e fundit Kusari – Lila bashkë me atletët e klubit “Germia 555” ka përfunduar dy vrapime në distanca të gjata, konkretisht në distancën 36 kilometra Gjakovë – Pejë dhe në distancën 42 km dhe 700 m Gjakovë – Bajram Curri. E pikërisht pjesëmarrja e kryetares së Gjakovës në grupin e atletëve kosovar, ka bërë që e tërë kjo pjesëmarrje t’i dedikohet asaj, pasi që të gjithë garuesit kosovarë do të vrapojnë nën siglën “Kryetarja e Maratonave” apo “Marathon Mayor”. Ndërsa vet kryetarja Kusari – Lila ka thënë se vrapimin e saj do të ia dedikojë komunës së Gjakovës dhe promovimit të sportit dhe shëndetit të mirë. Ajo ka thënë se ajo dhe grupi po ndjehen mjaft të motivuar për të marrë pjesë në këtë maratonë, për faktin se kanë punuar shumë tash e disa muaj. Sa i përket pjesëmarrjes së parë në një aktivitet të tillë të një personaliteti nga jeta politike kosovare, Kusari – Lila ka thënë se shpreson të jetë shembull i mirë që në të ardhmen mund të ndiqet edhe nga njerëz tjerë të politikës kosovare.










