.
Published On: Wed, Mar 11th, 2015

Kadri Veseli: Gjakovën s’do ta lëmë në këtë gjendje

Share This
Tags

mimoza-veseliKryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka qëndruar në Gjakovë. Me këtë rast ai fillimisht është takuar me kryetaren e komunës Mimoza Kusari-Lila, me të cilën ka biseduar lidhur me  aktualitetin në komunën e Gjakovës si dhe për bashkëpunimin e komunës me Institucionin më të lartë ligjdhënës të vendit.

Në konferencën e përbashkët për media, kryetarja e komunës, Kusari–Lila, ka thënë se kryearlamentarin e ka njoftuar lidhur me hapat e fundit të qeverisë komunale të ndërlidhur me zhvillimin ekonomik, përkatësisht jetësimin e Zonës së Lirë Ekonomike, strategjinë për thithjen e investimeve të huaja, si dhe për potencialet e komunës së Gjakovës, të cilat janë të ndërlidhura ndër të tjera edhe me projektet ndërkufitare me Shqipërinë.

Në anën tjetër  kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para përfaqësuesve të mediave, ka deklaruar se zhvillimi ekonomik i Kosovës, është një projekt nacional i cili përherë do të jetë në agjendën e punës së Kuvendit, sepse, sipas tij, përmirësimi i jetës sociale për qytetarët dhe  shteti ligjor, është ajo që qytetarët e Kosovës e presin gjatë ditëve dhe viteve në vazhdim. “Nuk do të lejojmë që komuna e Gjakovës, e cila gjithmonë ka qenë shpirti i ndërmarrësisë së Kosovës, të shndërrohet në një komunë me probleme sociale”, ka thënë në konferencë Veseli.

Në vazhdim të vizitës së tij ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesit e bizneseve në komunën e Gjakovës. Këta të fundit kanë shprehur pengesat kryesore që përballet sektori privat duke kërkuar lehtësira doganore, heqjen e TVSH-së për mall të importuar, pastaj investime nga qeveria qendrore për biznese dhe prodhimet vendore, si dhe lehtësira tjera që ekzistojnë në vendet e rajonit dhe në shtetet fqinje të Kosovës./radiogjakova/